Vendosni fjalën kyçe....

Polonia do u kërkojë refugjatëve ukrainas të paguajnë për strehimin


Ukrainasit që kanë ikur në Poloni, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm me Rusinë, do duhet të fillojnë të paguajnë për strehimin dhe ushqimin e tyre vitin e ardhshëm, ka njoftuar qeveria në Varshavë.

Autoritetet polake thanë të martën se planifikojnë të prezantojnë rregullat e reja nga 1 marsi 2023.

Ndryshimet në ligjin për mbështetjen e ukrainasve do shkojnë në parlament së shpejti dhe pritet të kalojnë pa probleme.

Sipas propozimit, refugjatët që jetojnë në qendrat shtetërore të akomodimit për më shumë se 120 ditë do të duhet mbulojnë 50% të kostos deri në 40 zloty (8,87 dollarë) në ditë, për person. Pas 180 ditësh, shuma do të rritet më tej në 75% të kostos, deri në 60 zloty (13,2 dollarë) në ditë.

Fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, gratë shtatzëna dhe kujdestarët e tre ose më shumë fëmijëve do përjashtohen nga rregullat.

Gjithashtu do forcohen kontrollet mbi përfitimet e ofruara nga Polonia për refugjatët ukrainas. Qeveria planifikon të ndalojë paratë për refugjatët që largohen nga territori polak, nëse ata nuk kthehen brenda 30 ditëve, duke humbur krejtësisht të drejtën e qëndrimit dhe përfitimet.

Kryeministri Mateusz Moraëiecki tha se masat e propozuara synojnë të sigurojnë që ‘tatimpaguesit polakë të paguajnë sa më pak të jetë e mundur për një valë të ardhshme të pritshme refugjatësh’.

Rreth një mijë ukrainas po mbërrijnë në Poloni në baza ditore, tha Moraëiecki, duke shtuar se ai pret që fluksi të rritet ndërsa gjendja në vendin fqinj vazhdon të përkeqësohet.

Varshava ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Kievit që nga fillimi i operacionit ushtarak rus në Ukrainë në fund të shkurtit. Polonia thuhet se i ka dhuruar gjysmën e tankeve të saj si dhe armë të tjera qeverisë së Vladimir Zelenskyt. Ajo gjithashtu ka pranuar rreth 1.4 milionë refugjatë ukrainas, ndërsa i ka bërë thirrje BE-së të rrisë sanksionet e saj kundër Rusisë.