Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim në ambasadën e Ukrainës në Madrid


Një punonjës në ambasadën e Ukrainës në Madrid u plagos të mërkurën pasi një letër që po e hapte, shpërtheu, raporton Reuters, duke cituar policinë spanjolle. Anëtari i stafit thuhet se ka pësuar vetëm lëndime të lehta dhe ka shkuar në spital.

Shpërthimi ndodhi në orën 13:17 me kohën lokale dhe u raportua tek autoritetet spanjolle nga vetë ambasada, sipas Europe Press. Forcat lokale të rendit kanë rrethuar tashmë zonën përreth ndërtesës, ndërsa njësitë e qenve shkuan në vendngjarje. Protokollet anti-terroriste janë aktivizuar gjithashtu në të gjithë qytetin, raporton gazeta.

Një zyrtar i qeverisë spanjolle ka thënë për mediat vendase se një hetim për incidentin është hapur nga Policia Kombëtare dhe se punonjësi i ambasadës, i cili besohet të jetë një shtetas ukrainas, ka pësuar vetëm një lëndim të lehtë në dorën e djathtë.

Telemadrid raporton se burime policore kanë treguar se zarfi i ishte drejtuar ambasadorit ukrainas dhe përmbante një eksploziv të vogël të bërë vetë, që nuk u kap nga shërbimet e sigurisë së ambasadës.

Ambasada e Ukrainës në Spanjë nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare për incidentin.