Vendosni fjalën kyçe....

“Sulm i qeverisë ndaj lirisë së medias” – Gazment Bardhi ngre në Parlamentin Europian çështjen e shembjes së “Prestige Resort”


Deputeti i PD-së Gazment Bardhi, ka ngritur sot si shetësim gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian, çështjen e prishjes së resortit “Prestige” që është në pronësi të sipërmarrësit Irfan Hysenbelliu.

Bardhi u shpreh se ky është një rast i përsëritur i një sulmi ndaj grupit mediatik “Fokus Media Group”, që sipas tij ka qenë kritik ndaj qeverisë.

“Sot, në një rast të përsëritur, autoritetet shqiptare, përfshirë forca të shumta policie, pa asnjë paralajmërim, kanë ndërhyrë dhe po shkatërrojnë bizneset në pronësi të themeluesit dhe drejtuesit të Fokus Media, që përfshinë televizionin më të madh informativ në vend News 24, portalin më të madh në vend Balkanweb, dhe gazetës më të madhe në vend Gazetës Panorama.

Ky grup mediatik e ka konsideruar këtë ndërhyrje si të paligjshme, brutale, dhe që bëhet si një hakmarrje ndaj linjës editoriale që është mbajtur gjatë kësaj kohe. Në fakt për ne si opozitë, këto media kanë qenë një dritare objektive e informimit të publikut, ku ka patur edhe investigime apo lajme kritike ndaj Qeverisë.

Unë mbështes pa asnjë dyshim zbatimin e barabartë të ligjit për të gjithë, por në rastin konkret dyshimi i arsyeshëm është që ndërhyrja në bizneset e pronarit të një prej grupeve mediatike më të rëndësishme në Shqipëri, bëhet si formë ndëshkimi, presioni politik dhe tentative frikësimi ndaj medias.”– tha ai.

Bardhi bëri thirrje që të dënohet ky “sulm” dhe që autoriteteve shqiptare t’u kërkohet urgjentisht të ndalin presionin ndaj medias.

“Unë kërkoj ta dënojmë këtë sulm të qeverisë ndaj medias dhe lirisë së medias, si dhe t’i kërkojmë urgjentisht autoriteteve shqiptare të ndalin presionin ndaj medias, të ndalin veprimet arbitrare, dhe të bëjnë transparencë të plotë të këtij rasti. Ndërhyrja nuk është shoqëruar me asnjë dokument zyrtar që justifikon ndërhyrjen. Dhe kjo është e patolerueshme dhe shumë shqetësuese. Kur kjo i ndodh një grupi të madh mediatik, çfarë mund të pretendojmë që të ndodh me një gazetar të thjeshtë.

Qeveria duhet të bëjë transparencë menjëherë dhe t’i nënshtrohet rregullave të shtetit ligjor, të pres sistemin e drejtësisë dhe vendimet e tij, dhe të zbatojë ligjin dhe vendimet.”– ka deklaruar Bardhi.