Vendosni fjalën kyçe....

Korrupsion në Botërorin 2018, dënohen me 37 vite burg dy vëllezërit në Rusi


Një gjykatë në Moskë dënoi të enjten një biznesmen polemizues, vëllain e tij ish-senator dhe disa drejtues të tjerë me dënime të gjata me burg për një komplot kriminal për përvetësimin e miliarda rublave nga buxheti i qeverisë. Një nga projektet kryesore në të cilat ishin përfshirë komplotistët ishte një stadium në Kaliningrad për Kupën e Botës 2018.

Ziyavudin Magomedov, 54 vjeç, u dënua me 19 vjet në një burg të sigurisë maksimale. Themeluesit të ‘Summa Holding’ iu hoqën gjithashtu dy medalje të shërbimit qeveritar dhe do përballet me dy vjet të tjera shërbim prove pas lirimit përfundimtar.

Vëllai i tij Magomed, 55 vjeç, ish-anëtar i Këshillit të Federatës, do kryejë 18 vjet në një burg të sigurisë maksimale. Të dy Magomedovët gjithashtu duhet të paguajnë një gjobë prej 2.5 milionë rublash (40,800 dollarë) secili.

Magomedovët u akuzuan për udhëheqjen e një komploti kriminal që përfshinte gjithsej 20 drejtues biznesi, i cili i kushtoi shtetit rus 11 miliardë rubla (179 milionë dollarë) midis viteve 2010 e 2016.

Ndër nëntë rastet e përvetësimit ishin projektet e ndërtimit në Shën Petersburg dhe Kaliningrad, duke përfshirë stadiumin ‘Baltika’ të ndërtuar për Kupën e Botës të organizuar në Rusi katër vjet më parë.

Katër drejtues të tjerë u dënuan me burgim që varionin nga 7 deri në 12 vjet pas hekurave dhe gjoba nga 700,000 në 1.5 milion rubla. Gjyqtarët vendosën gjithashtu në favor të kërkesave civile të ngritura nga tre paditës të mashtruar, për shumën prej 3.5 miliardë rubla si dëmshpërblim. Ziyavudin Magomedov ka mohuar të gjitha akuzat, duke e quajtur rastin kundër tij ‘një simbiozë gënjeshtre dhe absurditeti’.

Qeveria ruse ka sekuestruar tashmë rreth 750 milionë dollarë që Magomedovët morën nga shitja e portit detar tregtar në Novorossiysk te Transneft, duke thënë se vëllezërit nuk mund të dokumentonin se i kishin marrë fitimet në mënyrë të ligjshme. Një gjykatë në Moskë hodhi poshtë ankesën e tyre në tetor.