Bashkimi Evropian ka reaguar pas deklaratave fyese të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano u ka bërë thirrje palëve që të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kenë “sjellje evropiane”, për të ndihmuar në ulje të tensioneve.
Sipas REL, Stano i ka bërë këto deklarata pas pyetjeve të gazetarëve për deklaratat e Vuçiçit, i cili e ka quajtur Kurtin “llum terrorist”.
Gazetarët e kanë pyetur Stanon nëse deklaratat e Vuçiçit përbëjnë “sjellje evropiane”.
“Ne si komunitet i 27 vendeve presim nga të gjithë partnerët që të sillen në mënyrë evropiane, e kjo përfshin edhe Serbinë edhe Kosovën. Kjo nënkupton përmbajtje nga deklaratat nxitëse.”- ka thënë Stano.
Megjithatë Stano ka shtuar se emërimi i Nenad Rashiçit në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Kosovë “nuk ka qenë në përputhje me kushtetutën”.
Posti në të cilën është emëruar Rashiç, deri në fillim të nëntorit mbahej nga Goran Rakiç, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës. Ka qenë ky emërim që e ka irrituar Vuçiçin i cili ofendoi Kurtin, ndërsa gjithashtu ka paralajmëruar se nuk do marrë pjesë në Samitin e 6 Dhjetorit në Tiranë.