Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza Ramës: Porti i Durrësit pasuria më e madhe e shqiptarëve, Rama kërkon ta grabisë


Kreu i PD-së Berisha ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Rama lidhur me projektin e Portit të Durrësit.

Në një takim me banorët e njësisë 7 në Tiranë, ai tha se porti është pasuria më e madhe e shqiptarëve dhe Rama kërkon t’ua grabisë për ta shfrytëzuar për t’u pasuruar.

Berisha theksoi se qytetarët do e paguajnë shtrënjtë nëse projekti do bëhet ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se po i mbyll të gjitha portet e vendit.

“Merrni Portin e Durrësit. Gjendet një arab i cili ka pasion investimin tek diktatorët, me Lukashenkon dhe të tjerë e i thotë Edi Ramës do të të bëj të pasur si veten. Hajt ta marrim bashkë këtë portin. Portin nuk ua ka marrë shqiptarëve asnjë pushtues. Porti sot është pasuria më e madhe publike e shqiptarëve. Përpunon 4.8 milionë ton. I shpërndan në zemrën e Shqipërisë, ku janë rreth 2 milionë shqiptarë pothuajse. Tani, ne do blejmë mallra sepse do të bëhet miliarder Edi Rama, që transportohen nga Tivari në Tiranë, nga Selaniku në Korçë, nga Igumenica në Vlorë e Gjirokastër. Kush do paguajë koston e këtij transporti. Ne, qytetarët me çmime në dyqan. Si merr me 1 euro 200 hektarë tokë, u ka vënë çmimin e apartamenteve me 3000 euro metrin katror. Po kështu hotelet dhe molet në Durrës, ndërton Dubain e tij dhe mjerimin e shqiptarëve. Tani thotë se do të ndërtojë port, por nuk ka ndërmend të ndërtojë port. Ai ka ndërmend të mbyllë portet, si antishqiptar dhe i mbylli, Sarandën e ka mbyllur, Vlorën po, edhe Durrësin tani dhe rroftë Shëngjini, por Shëngjini është me kufizime të mëdha, është një port i vogël.” – tha Berisha.

Sipas kryedemokratit, Rama po e zhbën Shqipërinë edhe gjeografikisht ndërsa tha se protestae 6 dhjetorit do shërbejë për t’u thënë zyrtarëve evropianë se Edi Rama po vjedh shqiptarët ndërkohë që është ulur në tavolinë me ta.

“Pra ky po zhbën Shqipërinë edhe gjeografikisht. Prandaj dhe ne duhet të ju themi atyre, ky po na vjedh, po na vjedh në këtë mënyrë. Ne jemi këtu, hajdutin e keni në tavolinë. Edi Rama nuk mund të përfaqësojë me veprimet e tij, i nxin çdo ditë imazhin Shqipërisë. Ai na bëri ne të jemi populli i gomoneve, njerëz të varkave. Pse jemi njerëz të varkave, sepse na vjedhin, vjedh votën, pasuritë, lirinë, shkatërron bizneset. Duhet të jemi aty sepse ai për pushtetin e tij dhe pasurinë e tij, nuk njeh moral, nuk njeh ligj, nuk njeh standard.” – shtoi Berisha.