Vendosni fjalën kyçe....

Berisha konfirmon protestën: Më 6 dhjetor do mblidhemi në bulevard, njësoj si qytetarët e lirë të SHBA-së e Evropës


Kreu i PD-së Berisha deklaroi sot se opozita e mbështetësit e saj do jenë në 6 dhjetor në bulevard për të protestuar, siç është njoftuar më herët.

Në një takim me banorët e njësisë 7 në Tiranë, kryedemokrati tha se protestat e opozutës janë më evropianet që ka parë vendi që pas vitit 1991.

Berisha shtoi se qytetarët që kanë respekt për lirinë, dinjitetin e për të drejtat e tyre do protestojnë për të treguar se asgjë nuk e mposht të drejtën e tyre për t’u dëgjuar.

Kreu i selisë blu theksoi se populli opozitar do bëjë të njëjtën gjë që bëjnë qytetarët e lirë të Francës, Italisë, Britanisë, SHBA-së e Gjermanisë.

“Shpreh kënaqësinë që takohem me ju në prag të dy ngjarjeve shumë të veçanta në historinë e Shqipërisë, të PD-së, të popullit opozitar. Këto ngjarje janë protesta, do ta quaja më europiane që shqiptarët kanë organizuar pas dhjetorit të vitit 1991. Protestë në të cilën populli opozitar do të jetë i tëri në bulevardin Dëshmorët e Kombit në një mision të madh për të përfaqësuar aty përkushtimin, vlerësimin, qëndrimin ndaj vlerave të demokracisë, ndaj vlerave europiane. Njerëzit të cilët kanë respekt për lirinë, për dinjitetin e tyre, për të drejtat e tyre do të përdorin protestën si zë të tyre; përdorin protestën për të dëshmuar se asgjë nuk mund të mposhtë të drejtën e tyre për t’u dëgjuar.

Njerëzit të cilët tremben, kanë frikë, zgjedhin heshtjen, ngushëllojnë veten ‘me ç’më duhet mua’ dhe vazhdojnë në orbitën e njerëzve të shtypur. Ne të tillë nuk jemi. Ne do të ndjekim shembullin e qytetarëve të lirë të Francës, Italisë, Britanisë, SHBA-ve, Gjermanisë, të çdo vendi tjetër, të cilët në çdo samit të liderëve të Europës apo të botës pavarësisht se gëzojnë liritë dhe të drejta pakrahasimisht më shumë se ne janë në protestë. Nuk ka samit pa protestë. Të tilla ndodhin vetëm në vendet diktatoriale ku protestat janë të ndaluara, ku diktatorët mblidhen në samitet e tyre dhe nuk pipëtin asgjë. Edi Rama po bën gjithçka për të krijuar këtë tablo në Shqipëri, por ne nuk do ta lejojmë. Ne do të mblidhemi në shesh, me të madh e me të vogël.” – tha Berisha.