Një mjek në Gramsh është dhunuar me mjete të forta në banesën e tij, pasditen e djeshme.
Sipas televizionit “News 24”, bëhet fjalë për mjekun e familjes Vladimir Shuli, i cili prej vitesh ushtronte profesionin në qendrën shëndetësore në lagjen “Sporti” në Gramsh. Ngjarja e rëndë ndodhi dje pasdite rreth orës 17:00, ku persona ende të paidentifikuar janë futur brenda duke e dhunuar atë.
Mjeku 59-vjeçar thuhet se ka marrë dëmtime të shumta ne nofull, kokë dhe trup dhe është dërguar nga familjarët drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Sipas “BW”, mjeku ndodhet në gjendje kome dhe po lufton me jetën.
NJOFTIMI I POLICISË
Mbrëmjen e datës 30 nëntor, është dërguar nga familjarët, në spitalin e Gramshit, për ndihmë mjekësore, pasi ishte dëmtuar në fytyrë, shtetasi V. Sh., 60 vjeç, me detyrë mjek.
Nga veprimet paraprake hetimore, u konstatua se ky shtetas vuante nga probleme shëndetësore (hipertension).
Në vijim të hetimeve të thelluara për këtë rast, Policia ka identifikuar 2 autorët e dyshuar dhe ka referuar materialet në Prokurori, për ta, pasi dyshohet se kanë goditur shtetasin V. Sh.
Për të ruajtur konfidencialitetin e hetimeve që po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, nuk bëhen të ditura të dhëna të tjera