Vendosni fjalën kyçe....

Dua Lipa e pakënaqur me thashethemet se do të këndonte në Kupën e Botës: Kundër bindjeve të mia


Dua Lipa ka folur për “spekulimet” e mëparshme se ajo do të performonte në Kupën e Botës 2022 që po zhvillohet në Katar.

Këngëtarja është shprehur se ishte e pakënaqur me thashethemet që qarkulluan për performancën e saj të mundshme në ceremoninë e hapjes.

“Kupa e Botës është një mundësi vërtet unike për të kërkuar llogari nga Katari.”- tha ajo për Variety në një intervistë të re.

“Ata u zotuan për të drejtat e njeriut kur nënshkruan marrëveshjen për Kupën e Botës që nuk janë përmbushur në mënyrë të kënaqshme për të drejtat e punëtorëve migrantë, të drejtat e grave, të drejtat LGBTQ dhe lirinë e shprehjes – çfarë lloj mesazhi dërgon nëse këto premtime nuk do të thonë asgjë ?”

Dua shtoi se “Nuk kam asgjë kundër Katarit dhe shpresoj se një ditë do të kem mundësinë të shkoj atje. Por nuk më pëlqente të isha mes spekulimeve se do të performoja për diçka që bie në kundërshtim me bindjet e mia.”

Organizatorët e Katarit dhe të Kupës së Botës janë përballur me kritika të vazhdueshme në lidhje me vdekjen e punëtorëve migrantë në krijimin e stadiumeve dhe pikëpamjet e vendit mbi homoseksualitetin, i cili është i paligjshëm në Katar.

Ylli i popit mohoi para një muaji çdo përfshirje në Kupën e Botës dhe i bëri thirrje vendit pritës që të përmbushë premtimet e tij për të drejtat e njeriut.

“Aktualisht ka shumë spekulime se unë do të performoj në ceremoninë e hapjes së Kupës së Botës në Katar.”- shprehej ajo asokohe. “Unë nuk do të performoj dhe as nuk kam qenë ndonjëherë e përfshirë në ndonjë negociatë për të performuar. Unë do të bëj tifo për Anglinë nga larg.”

Ajo më pas do të shtonte: “Mezi pres të vizitoj Katarin kur ai të ketë përmbushur të gjitha premtimet për të drejtat e njeriut që ka bërë kur fitoi të drejtën për të pritur Kupën e Botës”.

Këto deklarata të këngëtares janë komentuar shumë në rrjet. Rod Stewart gjithashtu zbuloi së fundmi se ai refuzoi pothuajse 1 milion paund për arsye morale.