Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Meta: Sulmi ndaj “Prestige Resort” për të fshehur skandalin me kriptomonedhat dhe vëllanë e Ramës


Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka bërë një tjetër reagim lidhur me shembjen e resortit “Prestige” që është në pronësi të grupit mediatik “Fokus Media Group”.

Meta ndërsa shpërndan një artikull mbi lajmin për shpalljen në kërkim të një biznesmeni nga autoritetet spanjolle, thotë se ky sulm ndaj resortit bëhet për të mbuluar një skandal tjetër pikërisht të lidhur me operacionin ndërkombëtar të Call Center-ave për mashtrimin me kriptomonedha.

Meta thotë se në këtë çështje është e përfshirë qeveria, pasi dyshohet se pjesë e skemës së mashtrimit me kriptomonedhat është edhe vëllai i kryeministrit Edi Rama.

“Sulmi i paligjshëm dhe brutal i regjimit hajdut dhe skizofrenik kundër ‘Prestige Resort’ është jo vetëm një akt terrorist ndaj lirisë të mediave por edhe një akt kriminal nëpërmjet të cilit synohet të tërhiqet vëmendja nga një tjetër skandal shumë i rëndë i bërë së fundmi publik ku është përfshirë qartësisht Qeveria shqiptare dhe ku dyshohet të jetë pjesë edhe vëllai i Edi Ramës, lidhur me mashtrimin e rreth 200 mijë europianëve me kriptomonedha në vlerë 2.4 miliard euro.

Banditizmi i Edi Ramës tek ‘Prestige Resort’ nuk mund të mbulojë kurrë vjedhjet e shekullit dhe skenat e krimit që janë tek inceneratorët, Porti i Durrësit, koncensionet korruptive, PPP-të dhe tenderat sekretë që po vjedhin pamëshirë shqiptarët çdo ditë.

Llogaridhënies para drejtësisë dhe popullit shqiptar Edi Rama nuk do t’i shpëtojë dot kurrë!”– shkruan Meta.