Vendosni fjalën kyçe....

Ligji i klimës në SHBA rrezikon të ‘përçajë perëndimin’ – Macron


Një skemë e re nxitëse e SHBA-së për të subvencionuar prodhuesit lokalë të makinave elektrike rrezikon të krijojë një përplasje midis vendeve perëndimore, paralajmëroi të mërkurën presidenti francez Emmanuel Macron mes frikës së afërt për një luftë tregtare midis Uashingtonit dhe Brukselit.

Duke folur në ambasadën franceze, gjatë një vizite shtetërore në Amerikë, Macron tha se skema do kishte ndikim negativ në BE duke e bërë më pak tërheqëse për bizneset të investojnë në ekonominë e bllokut.

Ligji i SHBA-së për Reduktimin e Inflacionit (IRA) ofron 391 milionë dollarë stimuj për të nxitur energjinë e pastër, duke përfshirë mbështetjen për prodhuesit e automjeteve elektrike.

“Zgjedhjet e muajve të fundit, në veçanti IRA, janë zgjedhje që do përçajnë Perëndimin.” – tha ai, duke shtuar se BE e SHBA duhet ‘të bashkërendojnë dhe risinkronizojnë axhendat e politikave’.

Macron e përshkroi planin ekonomik si ‘tejet agresiv’ ndaj kompanive evropiane gjatë një takimi me ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë kryesore, sipas një burimi të paidentifikuar të Reuters.

“Ju ndoshta do rregulloni problemin tuaj, por do rrisni problemin tonë.” – shtoi ai, siç citohet nga AFP, duke paralajmëruar se nxitja e SHBA-së mund të ‘vrasë shumë vende pune’.

Ndërkohë, të mërkurën, kur u pyet për shqetësimet evropiane në lidhje me aktin, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre pretendoi se ai ‘paraqet mundësi të rëndësishme për firmat evropiane si dhe përfitime për sigurinë energjetike të BE-së’, duke shtuar se ‘kjo nuk është çështje ku SHBA-ja kërkon të ketë përparësi dhe se Uashingtoni kërkon një ‘rrugë konstruktive’ me BE-në për këtë çështje.

Muajt ​​e fundit, Akti i Reduktimit të Inflacionit ka qenë një temë veçanërisht e mprehtë në marrëdhëniet transatlantike, me liderë të ndryshëm të BE-së që argumentojnë se ai diskriminon evropianët pasi mund t’u japë prodhuesve amerikanë të automjeteve elektrike një avantazh ndaj homologëve të tyre të BE-së në tregun fitimprurës amerikan.

Ndërsa BE e SHBA po përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre, Bernd Lange, kryetar i komitetit të tregtisë së Parlamentit Evropian, paralajmëroi se kur skema të hyjë në fuqi pas disa javësh, do jetë tepër vonë për palët që të negociojnë çdo ndryshim në legjislacion. Ai shtoi se, nëse kjo ndodh, BE-ja ka të ngjarë të ngrejë një padi kundër Uashingtonit në Organizatën Botërore të Tregtisë.