Presidenti i Republikës, Bajram Begaj së bashku me Zonjën e Parë, Armanda Begaj, kanë kryer një vizitë në Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku janë pritur në një takim nga Papa Françesku.
Mediet italiane shkruajnë se takimi mes Papa Françeskut dhe presidentit shqiptar ka zgjatur rreth 30 minuta. Pas bisedës me Papën, presidenti Begaj vazhdoi në Sekretariatin e Shtetit, ku u diskutua edhe për integrimin europian të vendit.
Takimi filloi në orën 9:50 dhe përfundoi në orën 10:25. Papa Françesku thuhet se i ka dhuruar Begajt një majolikë që përshkruan një statujë të Shën Pjetrit duke dhënë një bekim me kupolën e Bazilikës së Shën Pjetrit në sfond, vëllimet e dokumenteve papale, mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2022, dokumentin mbi Vëllazërinë Njerëzore dhe libri mbi Statio Orbis i 27 marsit 2020.
Nga ana tjetër, presidenti shqiptar i dhuroi Prapës një mozaik prej kashte, që përshkruan një grua me rroba tradicionale shqiptare, një riprodhim bronzi të Darkës së Fundit dhe një kopje fotostatike të “STATUTA ET ORDINATIONES CAPITULI ECCLESIAE CATHEDRALIS DRIVASTIENSIS”, katedrales së dioqezës së lashtë Drivasto, që ekziston që nga viti 1089 dhe ishte gjithashtu nën dominimin e Venedikut, përpara se të bëhej osman, duke sinjalizuar gjithashtu një prani të lashtë të krishterë.
Në një njoftim të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, thuhet se në bisedimet me Sekretariatin e Shtetit, “u shpreh vlerësimi për marrëdhëniet e mira ekzistuese dypalëshe dhe synimi për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në sektorë me interes të përbashkët”.
Sipas deklaratës, “më tej u theksua kontributi pozitiv i komunitetit katolik në shoqërinë shqiptare”.
Më pas, “u fokusuam në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në disa çështje rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor”.
Gjithashtu mësohet se në takimin dypalësh kardinali Pietro Parolin, sekretar i shtetit të Vatikanit, shoqërohej nga Imzot Miroslaë Wachowski, nënsekretar për marrëdhëniet me shtetet.