Rusia preferon rrugën diplomatike drejt zgjidhjes së krizës në Ukrainë, por nuk do të pranojë parakushtet e SHBA-së për negociata, tha të premten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Kërkesa e presidentit amerikan Joe Biden se ‘bisedimet do të jenë të mundshme vetëm pasi Presidenti rus Vladimir Putin të largohet nga Ukraina’, është diçka që Moska nuk do e pranojë, tha zyrtari.
“Operacioni special ushtarak vazhdon. Thënë kështu, presidenti Putin ishte, është dhe do jetë i hapur për për bisedime. Sigurisht, rruga e preferuar për sigurimin e interesit tonë është diplomacia paqësore.” – shpjegoi Peskov.
Ai po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me një deklaratë që Biden bëri të enjten gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin francez Emmanuel Macron.
“Unë jam i përgatitur të flas me z. Putin nëse ka interes që t’i japë fund luftës. Ai nuk e ka bërë këtë ende.” – tha lideri amerikan. Biden pretendoi se e vetmja ‘mënyrë që kjo luftë të përfundojë është mënyra racionale: Putini të tërhiqet nga Ukraina’.
Peskov vlerësoi se ka pak hapësirë për Uashingtonin dhe Moskën për të negociuar për Ukrainën për momentin.
“SHBA-ja ende nuk i njeh territoret e reja që iu bashkuan Federatës Ruse dhe sigurisht kjo e bën kërkimin e bazës së mundshme për diskutim shumë më të vështirë.” – tha ai.
Në mes të konfliktit të vazhdueshëm, katër ish-rajone të Ukrainës iu bashkuan Rusisë pas referendumeve. Kievi i hodhi poshtë votimet si ‘manipulim’ dhe u zotua të vazhdojë të luftojë Rusinë derisa trupat e saj të shtyhen në pozicionet e para vitit 2014.