Vendosni fjalën kyçe....

Ryshfet në këmbim të kthimit të patentave të pezulluara, arrestohet specialisti i Policisë në Tiranë


Arrestohet për shpërdorim detyre një punonjës i Policisë në Tiranë. Alkid Ndreu, i cili është dhe anëtar i Komisionit të gjobave, akuzohet se merrte qytetarëve ryshfet në këmbim të kthimit të lejeve të drejtimit, pasi atyre u ishte pezulluar nga Policia Rrugore.

Në këtë operacion është arrestuar edhe një person tjetër, i akuzuar se luante rolin e ndërmjetësit mes policit dhe qytetarëve.

NJOFTIMI I POLICISË

Drejtoria Rajonale e A.M.P-së Tiranë ka arrestuar një ditë më parë në flagrancë të punonjësit të policisë Alkid Ndreu me detyrë specialist i administrimit të dokumentave dhe anëtar i OASH, i dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, si dhe shtetasit E.C., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasja B.D., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim.

Veprimet e mësipërme u kryen nga AMP Tiranë pas autorizimit nga Prokurori i gatshëm, në bazë të të dhënave të mbledhura në rrugë operative se shtetasja B.D. kishte arritur të merrte Lejen e saj të Drejtimit, e cila ishte e bllokuar nga OASH me afat 3 mujor, kundrejt një shume prej 70.000 lekësh e dhënë në formën e rryshfetit tek personat përgjegjës. Nga veprimet hetimore në vijim u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i Lejes së Drejtimit që në atë moment posedohej nga shtetasja B.D.

Vijimi i veprimeve bëri të mundur identifikimin e kapjen e personit ndërmjetës, shtetasi E.C., i cili duke shfrytëzuar njohjet dhe kundrejt shpërblimit financiar të paligjshëm, ka bërë të mundur marrjen e lejes së drejtimit nga punonjësi i policisë A.N., i cili ka detyrimin ligjor të administrimit deri në skadencë të vendimit të OASH dhe dorëzimin e lejes tek shtetasja B.D.

Materialet proceduriale i dërgohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme, ndërsa po punohet për identifikimin e punonjësve të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.