Vendosni fjalën kyçe....

Trupat amerikane të gatshme për ndërhyrje – Komandanti lituanez


Forcat amerikane të vendosura në Lituani e kanë zhvendosur fokusin e tyre nga parandalimi i Rusisë te gatishmëria luftarake, tha shefi i Mbrojtjes së Lituanisë, Gjeneral-lejtnant Valdemaras Rupsys. Vendi ndan një kufi me enklavën ruse të Kaliningradit në Detin Baltik, si dhe me Bjellorusinë dhe Letoninë.

“Faktori kryesor dikur ishte parandalimi.” – tha Rupsys për radion LRT të premten.

“Tani gjendja ka ndryshuar. Ato njësi janë duke u vendosur në mënyrë të atillë që të mund të luftojnë menjëherë. Të paktën deri në vitin 2025, ne do të kemi njësi të rradhës amerikane që do kryejnë stërvitje ushtarake dhe do shërbejnë si faktor parandalues, por gjithashtu do të jenë të gatshëm të kryejnë veprime mbrojtëse së bashku me ne dhe aleatët e tjerë.” – shtoi ai.

Shefi i mbrojtjes tha të mërkurën se ai ishte siguruar nga Shefi i Shtabit të ushtrisë amerikane, Gjenerali Mark Milley se trupat amerikane do kishin ‘një prani të vazhdueshme në Lituani’.

Njësitë amerikane me madhësi batalioni me rreth 500 trupa, tanke Abrams dhe automjete të blinduara Bradley janë vendosur me rotacion në qytetin lindor të Lituanisë, Pabrade që nga viti 2019. NATO gjithashtu mban një njësi shumëkombëshe të udhëhequr nga Gjermania në vend.

Blloku i udhëhequr nga SHBA-ja njoftoi rritjen e aftësive të tij ushtarake në përgjigje të operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, i cili filloi në shkurt. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha në qershor se forca e reagimit të shpejtë të aleancës do rritet nga rreth 40,000 në mbi 300,000 trupa.