Presidenti i SHBA-së Joe Biden u bëri thirrje liderëve politikë amerikanë të kundërshtojnë antisemitizmin ‘kudo që fshihet’, pasi reperi i trazuar Kanye West deklaroi publikisht admirimin e tij për diktatorin nazist Adolf Hitler.
Në një postim në Twitter të premten, Biden deklaroi se ‘Holokausti ndodhi. Hitleri ishte një figurë demonike. Dhe në vend që t’i japin një platformë, liderët tanë politikë duhet të thërrasin dhe të refuzojnë antisemitizmin kudo që ai fshihet’.
“Heshtja është bashkëpunim.” – përmbylli Biden.
Ndërsa postimi në Twitter i Biden nuk i referohej me emër Kanye West-it, ai erdhi një ditë pasi reperi u pezullua nga platforma për postimin e një imazhi të Yllit të Davidit të ndërthurur me një svastika.
Shefi ekzekutiv i Twitter, Elon Musk, i cili më parë riktheu llogarinë e West pasi ai u pezullua për kërcënimin e ‘popullit hebre’, deklaroi se postimi ‘shkel rregullin tonë kundër nxitjes së dhunës’.
Të mërkurën, West u shfaq në emisionin Infoëars të Alex Jones, ku i tha prezantuesit të krahut të djathtë se ‘ka shumë gjëra që më pëlqejnë te Hitleri’ dhe se njerëzit duhet ‘të ndalojnë së përçmuari nazistët gjatë gjithë kohës’.
West, për të cilin disa komentatorë kanë këmbëngulur se është i sëmurë mendor, kohët e fundit njoftoi se do kandidonte për presidencën e SHBA-së në 2024. West darkoi me kandidatin e mundshëm republikan Donald Trump në fund të muajit të kaluar, me Trump duke i thënë atij se fushata e tij përfundimisht do dështonte.