Vendosni fjalën kyçe....

Kërkesa e Komisionit të PE-së për hetimin e Varhelyi, a është një mesazh për Viktor Orban


Eurodeputeti holandez Thijs Reuten njoftonte mbrëmjene e djeshme nën simbolin ‘breaking’, lajmin se Komisioni për Punët e Jashtme në PE ka kërkuar hetimin e Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Sipas tij, kërkesa ishte bërë me pretendimin se Varhelyi minon demokracinë e sundimin e ligjit në vendet që kërkojnë të anëtarësohen në BE.

Varhelyi është një avokat e diplomat hungarez që e ka marrë detyrën si Komisioner për Zgjerimin në vitin 2019. Që pas caktimit të tij nga Orban, ai është etiketuar nga media apo politikanë të ndryhsëm evropianë si ‘njeriu i Orban’.

Kërkesa për hetimin e tij nga Parlamenti Evropian dhe e njoftuar nga eurodeputeti laburist holandez vjen mes tensioneve të larta që ekzistojnë prej shumë kohësh mes Brukselit e Budapestit.

Qeverisja e Viktor Orban e Brukseli zyrtar kanë qenë në kurs përplasjeje që pas goditjes që Orban i bëri Fondacionit Shoqëria e Hapur të Goerge Soros duke e përzënë atë nga vendi e duke mbyllur institucionet arsimore të lidhura me të.

Ajo u pasua shpejt nga lëvizjet e qeverisë hungareze kundër disa çështjeve që kishin të bënin me komunitetin LGBTQ si ndalimi i propagandës në shkolla, kundërshtimi i terminologjisë asnjanëse, reklamimi publik etj. Asokohe drejtuesit e e BE-së e akuzuan Orban për shkelje të të drejtave të këtij komuniteti duke theksuar se një gjë e tillë bie ndesh me vlerat e parimet evropiane.

Tensionet kanë qenë të larta mes palëve edhe për sa i përket krizës së emigrantëve, me BE-në që i ka kërkuar në disa raste qeverisë së Orban që të mos i mbyllë kufijtë dhe të mbajë barrën e saj të emigrantëve të paligjshëm, gjë që është hedhur poshtë nga Hungaria e cila ka forcuar marrëdhëniet me Serbinë për kontrollin e fluksit të emigrantëve, duke ngritur gardhe telash me gjemba e duke forcuar kontrollin në pikat kufitare.

Përplasja më e fundit ka të bëjë me sanksionet antiruse të BE-së pas sulmit të Moskës ndaj Ukrainës. Hungaria i ka kundërshtuar ato duke theksuar se kanë dëmtuar me shumë vendet e BE-së sesa Rusinë.

Budapesti ka kundërshtuar në disa raste një pjesë sanksionesh që kanë të bëjnë me importin e naftës e gazit rus, ndërsa ka kedhurt poshtë furnizimin me armë të Ukrainës, stërvitjën e trupave ukrainase apo lejimin e kalimit të armëve nëpërmjet territorit hungarez.

Tensionet Hungari-BE vijojnë të jenë ende të larta teksa pak ditë më parë BIRN, në një analizë ngrinte çështjen e probemit që Hungaria ka me spiunazhin rus, duke u kthyer në strehë të spiunëve rusë.

Kërkesa për hetimin e Komisionerit për Zgjerimin, ‘njeriut të Orban’, Varhelyi  vjen në dritën e këtyre përplasjeve të tejzgjatura mes palëve, megjithatë është ende herët për t’u thënë nëse është mesazh për Viktor Orban, apo është një çështje e brendshme e korridoreve të Brukselit.