Shkalla vjetore e martesave të reja në Kinë ka rënë në pikën më të ulët në më shumë se tre dekada, duke kontribuar në rënien e shkallës së lindjeve të vendit, njoftoi të enjten agjencia e lajmeve Yicai, duke cituar Byronë Kombëtare të Statistikave. Kufizimet e Covid-19, arsimi dhe kostoja e jetesës u tha se ishin ndër arsyet kryesore të rënies.
Rreth 11.58 milionë njerëz regjistruan martesën e tyre të parë në Kinë në vitin 2021, me 708,000 më pak se një vit më parë. Është hera e parë që nga viti 1985 që numri vjetor i njerëzve që martohen ka rënë nën 12 milionë. E njëjta metrikë arriti kulmin me 23.8 milionë në vitin 2013, por që atëherë është ulur me 51.5%, sipas raportit.
Song Jian, një demograf në Qendrën për Studimet e Popullsisë dhe Zhvillimit në Universitetin Renmin tha për Global Times të premten se shkalla në rënie e martesave ishte për shkak të rritjes së moshës në të cilën njerëzit lidhin marrin vendimin për këtë gjë, kryesisht për shkak të më shumë aksesi në arsimin e lartë dhe ‘të rinjtë që kërkojnë stabilitet profesional përpara se të martohen’.
Song shtoi se reduktimi i kontakteve personale gjatë pandemisë Covid-19 dhe kostoja e lartë e rritjes së fëmijëve janë gjithashtu ndër faktorët kryesorë.
Pas dekadash kufizimesh në numrin e fëmijëve për familje, autoritetet tani po nxisin çiftet që të kenë më shumë foshnje përballë plakjes së popullsisë së Kinës dhe një raporti të lartë të çekuilibrit gjinor.
Pekini i dha fund politikës së një fëmije në vitin 2015, duke lejuar kështu çiftet të kenë dy fëmijë. Që nga viti i kaluar, atyre u është lejuar të kenë deri në tre fëmijë. Presidenti Xi Jinping premtoi në tetor të zbulojë një grup politikash ‘proaktive’ për të rritur shkallën e lindjeve dhe për të trajtuar plakjen.