Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për akuzat e Shemsi Prençit: Po mund të ketë patur socialistë që kanë votuar


Kryetari i PD-së Sali Berisha u është përgjigjur akuzave të ngritura sot nga kandidati për bashkinë e Kamzës, Shemsi Prençi, lidhur me procesin e Primareve.

Berisha nuk e hodhi poshtë mundësinë që socialistë të kenë votuar në Primare, madje e konfirmoi atë duke thënë se di edhe ai vetë “disa raste”. Por sipas tij, bëhet fjalë për raste të veçanta, ku kanë qenë miq dhe të afërm të kandidatëve dhe s’bëhet fjalë për raste problematike sipas tij, apo “rilindas”.

“Po. Së pari njëherë, në mënyrë absolute nuk ka patur asnjë kandidat të mbështetur nga Sali Berisha, as edhe nga Kryesia e PD-së. Se çfarë kanë kuptuar me paracaktim ata rivalë unë nuk e di se cila është.

Natyrisht ky Komision që shihni këtu ka bërë një punë të jashtëzakonshme me verifikimet e ankesave të bëra për listat. Mund të më thoni ju që a ka patur ndonjë socialist që ka votuar në Primare? Unë dorën në zjarr nuk e vë dot se nuk ka patur!

Të marrim dy aspekte këtu. Së pari ne jemi kjo shoqëri që jemi, dhe kandidati apo kandidatja mund të ketë shoqe, mund të ketë miq socialistë, i fton dhe të jem i sinqertë edhe votojnë. E votojnë në PD por edhe e votojnë në zgjedhje të përgjithshme. Unë të paktën di raste. Por edhe ndodh e kundërta, por a kanë qenë një problem këto raste ekzotike? Absolutisht jo. Mund të ketë ndodhur.

Ja ku e kemi në Kamëz sa kanë votuar. Mund të ketë patur. Askurrkund nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë socialist, jo rilindas natyrisht sepse rilindja është një sekt supermafioz. Edhe mund të ketë votuar. Nuk ka ndonjë ndikim në procesin e votimit.”– iu përgjigj Berisha pyetjeve në konferencën për mediet, lidhur me akuzat e Prençit.

I pyetur nga gazetarët, Berisha ka pranuar se ky proces kishte problematika.

“Nuk pretendohet të ishte një proces i përsosur. Jo! Nuk mund të pretendosh një gjë të tillë, por se u bë çfarë ishte e mundur për procesin më të mirë. U bë çfarë ishte e mundur për procesin më të mirë. Eksperienca e këtij procesi pasuron PD për përmirësimin e mëtejshëm të tij. Primaret janë rruga e vetme për t’iu dhënë pushtetin, dinjitetin anëtarësisë dhe simpatizantëve. Rruga e vetme për të hapur PD.”- tha Berisha.  

Nga gara e primareve sot janë tërhequr 8 kandidatë pasi kishin pakënaqësi me procesin.