Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur me shpërthim të kontrolluar, ‘Prestige Resort’ në Kavajë në pronësi të Irfan Hysenbelliut.
Për shpërthimin u hapën 730 furnela (vrima) ku u montuan 70 kilogramë eksploziv si dhe 4 mijë metër linear fitil.
IKMT pretendon se vendimi për shembjen e këtij resorti erdhi pasi ishte pa leje, ndërsa pronarët mohojnë se është pa leje.
Shkatërrimi i hotelit me tritol ndodhi pak orë përpara se gjykata administrative Durrësit të shqyrtonte kërkesën e kompanisë “Erioni SHPK” për pezullimin e shembjes së hotelit deri në shqyrtimin me themel të saj.
Presidenti i “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu, u shpreh se kjo është një hakmarrje jo vetëm mediatike por edhe personale ndaj tij e kryeministrit Edi Rama.
“Unë jam i qartë për gjithçka ka ndodhur sepse e njoh shumë mirë trurin e Ramës. E njoh prej kohësh. Kemi qëndruar së bashku shpesh dhe unë u prononcova tani sepse nuk doja të ndërhyrja më parë në këtë proces që kishte zgjedhur. Eshte një akt ekstrem, hakmarrje televizive dhe personale. Ky veprim që bëri sot që mua nuk do të thotë se më demoralizon, përkundrazi, kam provuar edhe 97’. Atëherë i humba të gjitha dhe u ringrita. Me këtë që ka bërë sot kryeministri, tregon si do ta zhvillojë këtë vend.
Unë do vazhdoj këtu, fëmijët e mi erdhën këtu dhe kanë marrë një vendim që ata duan të investojnë. Unë u them të ikin nga ky vend dhe të investojnë në vende të tjera. Me një njeri të tillë nuk mund të shkojë vendi para”, u shpreh ai.