Një 53-vjeçar nga Tirana ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet për kontrabandë cigaresh.
Në kuadër të operacionit ‘Hide’ u arrestua shtetasi me inicialet L. H., banues në Tiranë.
53-vjeçarit iu sekuestruan rreth 150 steka me cigare të llojeve të ndryshme, 1 automjet dhe 1 aparat celular.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Hide”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. H., 53 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin dhe në automjetin e shtetasit L. H., në rrugën “Hamdi Pepo”, shërbimet e Policisë gjetën rreth 150 steka me paketa me cigare, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe aparatin celular të këtij shtetasi. Nga verifikimet ka rezultuar se ky shtetas fshihte të ardhurat e përfituara nga tregtimi i mallrave dhe produkteve, në dyqanin e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”-njofton policia.