Vendosni fjalën kyçe....

Shembja e “Prestige Resort”/ Reagon Rama: Zor se do bëjë karshillëk ndërtues tjetër pas kësaj


Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me shembjen e “Prestige Resort” të biznesmenit Irfan Hysenbelliu në zonën e Malit të Robit në Kavajë.

Në një postim në “Twitter”, Rama u përgjigjet kritikave duke thënë se aksioni i ditës së sotme nuk ka lidhje me mediat, por ka të bëjë me fundin e një historie babëzie ndërtimesh në shkelje të ligjit. Ai shton së pas kësaj, zor se ndonjë ndërtues tjetër do shmangë përsëri ligjin sipas tij.

Më tej Rama paralajmëron se do të hyjë në fuqi një normë e re ligjore për kontrollin e detyruar sistematik të zbatimit të lejeve të ndërtimit.

 “Një leje zhvillimi është njësoj me një leje ndërtimi sa ç’është një çertifikatë lindjeje baraz me një leje drejtimi! Të bësh viktimën e lirisë së medias pse t’u prish një pallat pa leje është njësoj si të bësh viktimën e dhunës policore pse s’të lënë ta ngasësh makinën pa patentë!

Ky operacion i përfolur, përqeshur e anatemuar nga gjithë kundërshtarët tanë s’ka asnjë lidhje me median. Ka të bëjë vetëm me fundin e një historie mizerabël babëzie ndërtimesh në shkelje të ligjit për qëllime fitimi!

Zor se ndonjë ndërtues do i bëjë dot karshillëk ligjit paskëtaj!

Janë deri tani 15 vendime konfiskimi. Kjo e sotmja s’është e vetmja prishje, e në ndërkohë kontrollet po vazhdojnë. Do të futet një normë e re ligjore për kontrollin e detyruar sistematik (maksimumi çdo 60 ditë) të zbatimit të lejeve të ndërtimit. Të tjerat janë llogje pa lidhje!”– shkruan Rama.

Ky reagim i kryeministrit vjen pas shembjes së resortit “Prestige” në pronësi të biznesmenit Irfan Hysenbelliu në zonën e Malit të Robit në Kavajë. Ky i fundit akuzoi kryeministrin se po hakmerrej mediatikisht dhe personalisht ndaj tij.