Vendosni fjalën kyçe....

Trump kërkon shfuqizimin e Kushtetutës, reagon Shtëpia e Bardhë: S’mund ta duash Amerikën vetëm kur fiton


Donald Trump bëri thirrje të shtunën për shfuqizimin e Kushtetutës së SHBA-së në mënyrë që të anulohen rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke kërkuar kthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Trump i bëri komentet në një postim në rrjetin e tij social “Truth”, ndërsa përsëriti pretendimin e tij se i fitoi ai zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

“A duhet të hedhim poshtë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe të shpallim një fitues të vërtetë apo të bëjmë një zgjedhje të re? Një mashtrim masiv i këtij lloji dhe përmasash lejon shfuqizimin e të gjitha rregullave dhe rregulloreve, madje edhe atyre që gjenden në Kushtetutë.”– shkroi Trump. Ai akuzoi kompanitë e mëdha të teknologjisë për bashkëpunim me Partinë Demokratike.

Shtëpia e Bardhë ka reaguar duke e “dënuar” thirrjen e ish-presidentit Trump.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, tha se komentet e Trump ishin “anatemë për shpirtin e kombit tonë”.

“Nuk mund ta duash Amerikën vetëm kur fiton.”- tha Bates në një deklaratë sipas BBC-së.

Ai shtoi se komentet e Trump duhet të “dënohen universalisht”, duke sulmuar kështu edhe republikanët të cilët deri më tani kanë shmangur kritikimin e ish-presidentit.

Thirrja e Trumpit erdhi vetëm disa orë pasi u zbuluan në media diskutimet e brendshme të Tëitter-it rreth kufizimit të një historie të vitit 2020 për Hunter Biden.

Historia për të cilën bëhet fjalë u botua nga New York Post disa javë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe zbuloi jetën kaotike personale dhe marrëdhëniet e biznesit të djalit më të vogël të Presidentit Joe Biden. Por Twitter fillimisht e bllokoi historinë për shkak të një politike të kompanisë për materialet e hakuara dhe të vjedhura. Emailet e zbuluara së fundmi të “Twitter”-it treguan konfuzion dhe mosmarrëveshje midis stafit ndërsa ata përpiqeshin të përgjigjeshin.