Vendosni fjalën kyçe....

U kritikua pse nuk uroi Xhakën e Shaqirin/ Rama reagon përsëri: Janë ca kinse patriotë të mëdhenj


Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri lidhur me kritikat ndaj tij se përse nuk uroi futbollistët me origjinë shqiptare Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri që janë pjesë e kombëtares Zviceriane dhe ishin protagonistët në fitoren përballë Serbisë në Kupën e Botës.

Rama ka shpërndarë në “Twitter” dy fotot që kanë qarkulluar në rrjet ku ai shpreh urimet e tij për fitoren e Zvicrës në vitin  2018 po kundër Serbisë në Kampionatin Europian.

“Janë ca kinse patriotë më të mëdhenj se të tjerët e disa kinse të zgjuar më shumë se të tjerët, që fjalëve të mia sot u kundërvihen me postimet e mia dikur për e Xherdanit e Granitit! U qëndroj 100% të dyjave dhe ata që nuk duan ta kuptojnë psenë nuk kam se si i ndihmoj.”-shkruan Rama.

Kryeministri shqiptar u kritikua pasi në një konferencë për media sot, tha se ai s’është kryeministër i Zvicrës dhe se nuk është “aspak dinjitoze” që t’i përdorte për politikë futbollistët shqiptarë.

“Sepse është ekipi kombëtar i shtetit tjetër. Dhe do t’i fryeja zjarrit të një nacionalizmi – më falni për shprehjen – qesharak. Por nacionalizmi është gjithmonë sa qesharak, aq i rrezikshëm. Nuk është e nevojshme. Nuk e shoh fare të nevojshme dhe më duket që kush e bën këtë, nuk e bën gjënë e duhur.”– shprehej ai. Por kjo deklaratë e Ramës bëri që në rrjet të qarkullonin postimet e mëparshme të tij, kur ai i uronte dy futbollistët.