Vendosni fjalën kyçe....

Alimehmeti tërhiqet nga balotazhi, Këlliçi e zgjedh si krahun e djathtë: Do jetë nënkryetar


Dy kandidatët që dolën në balotazh për Bashkinë e Tiranës Ilir Alimehmeti dhe Belind Këlliçi kanë dalë sot në një deklaratë të përbashkët për mediet lidhur me procesin e Primareve.

Alimehmeti tha se anëtarësia kishte folur në krah të kandidatit tjetër Belind Këlliçit dhe theksoi se ai e mbështet atë, duke u tërhequr kështu nga balotazhi.

“Përshëndetje të gjithëve, jemi këtu në selinë e PD-së, më pak se 24 orë nga dita e Primareve ku anëtarësia e Tiranës shprehu për herë të parë me votë dëshirën e saj se kë do të donte kandidat për zgjedhjet vendore të Bashkisë së Tiranës dhe në respekt të votës së anëtarësisë jemi këtu që flasim, duke falenderuar çdo votues, çdo komisioner, çdo numërues, çdo vëzhgues dhe çdo organizues, për një proces i cili shkoi nga fillimi deri në fund pa asnjë vërejtje, i cili u numërua në transparencë të plotë brenda një kohe shumë të shkurtër.

Dua të theksoj se që nga fillimi i këtij procesi ka qenë anëtarësia që duhej të shprehej dhe nuk duhej të kalohej nga vota e simpatizantëve, edhe pse ka pasur vërejtje për këtë. Kam qenë gjithmonë i bindur se duhej të ishte anëtarësia ajo që duhej të kishte rolin kryesor.

Dhe kështu që dje anëtarësia foli, foli në favor të kandidatit këtu pranë meje, zotit Belind Këlliçi. Djalë i shkëlqyer, bashkëshort i devotshëm. Ju e njihni nga ana politike shumë mirë ndaj nuk ka nevojë të shprehem. Ju kam dalë Zot që si do që të shkonte do të isha në krah të kandidatit apo kandidates, në këtë rast kandidatit, që do gëzonte votën e anëtarësisë. Dhe kjo është shenja e parë e qytetarisë, të njohësh votën, ta kuptosh atë. Falenderoj gjithkënd që më ka mbështetur. Ka qenë një kënaqësi e madhe të punoj me ju dhe do vazhdoj të punoj me ju përkundjrejt fitores së datës 14 Maj 2023.”– tha Alimehmeti.

Këlliçi nga ana tjetër u zotua të sillte një model të ri të marrë nga Amerika, dhe kur ai të drejtojë bashkinë e Tiranës, nënkryetar do jetë Alimehmeti.

“Ashtu si në Amerikë kam kënaqësinë më të madhe sot që kur i kam hyrë këtij rrugëtimi kam qenë i bindur se do ta mundja Veliajn në garën për Tiranën, me Alimehmetin si krahun tim të djathtë dhe nënkryetar të bashkisë së Tiranës që nga 14 maji ne do sjellim një model krejtësisht ndryshe. Falënderoj doktor Ilir Alimehmetin të cilin kam pasur fatin ta njoh para angazhimit tonë në politik. Është fisnik dhe fisnikëroi dhe më shumë garën. më 14 maj do të sjellim një model të të bërit politikë krejt ndryshëm. Falënderoj të gjithë demokratët, të cilët dolën ditën e djeshme dhe pse në kushte të vështira për të votuar. I vetmi lajm i keq sot është lajmi për Erion Veliaj që PD dhe opozita e bashkuar kanë këtë standard. Jam ndier i privilegjuar dhe jam ndjerë krenar që kam qenë në një garë me doktor Ilir Alimehmetin. Nga ky moment fillojmë fushatën së bashku përballë Erion Veliajt.”– tha Këlliçi duke shtrënguar duart me Alimehmetin.