Ish-deputeti i PD-së Besnik Dushaj ka fituar primaret në Tropojë.
Në garë me Dushajn ishte ish-deputetja Mimoza Hajdarmataj. Dushaj do jetë zyrtarisht kandidati i PD-së për Bashkinë Tropojë.
Ai ka deklaruar se të gjithë duhet të përqendrohen për rikthimin e bashkisë te qytetarët e më shërbim të tyre.
“Të dashur demokratë të Tropojës,
Nga të gjitha garat e jetës sime politike, kjo ishte më e bukura, më e veçanta…kjo është fitorja juaj, dhe unë ju jam pafundësisht mirënjohës për besimin që më dhatë për të qënë kandidati juaj në zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë Tropojë. Të gjithë bashkë kemi sfidën e rradhës për rikthimin e bashkisë tek ju dhe në shërbimin tuaj. Unë kam bindjen absolute që së bashku do e çlirojmë Tropojën nga kthetrat e sektit rilindja dhe do e nxjerrim nga agonia e këtyre 4 viteve të errëta. Partia Demokratike dhe Tropoja kanë një lidhje të pazgjidhshme, i lidh historia, puna dhe dinjiteti.
Asgjë në botë nuk do arrijë ta thyejë këtë lidhje të shenjtë. Të dyja janë shtëpia e zemrës e mendjes së çdo tropojani, dhe në shtëpinë e vet, malësori është vet Zot. Me këtë besim në thellësinë e qenies sonë, të gjithë ne, demokratët e bashkuar dhe qytetarët e ndershëm të Tropojës, dhe nën drejtimin e burrit të madh të kombit, Prof. Dr. Sali Berisha, do shkojmë të sigurt drejt fitores së padiskutueshme në 14 maj. Fitorja është dhe do jetë gjithmonë e juaja! Faleminderit nga zemra! Me respekt, Besnik Dushaj.” – shkruan Dushaj.