Italia është ende e varur nga gazi natyror rus, të cilin ajo vazhdon ta importojë pavarësisht thirrjeve në BE-së për ndalim, sipas ministrit të Mjedisit dhe Sigurisë së Energjisë, Gilberto Pichetto Fratin.
Në një intervistë për të përditshmen La Stampa, ai tha se 250 milionë metra kub (mcm) gaz hynë në Itali një ditë më parë, duke përfshirë 90 mcm nga Algjeria, e cila është bërë ‘furnizuesi kryesor’ i vendit.
Ministri shtoi se 30 mcm vijnë ende nga Rusia, me volumin mesatar ditor nga vendi i sanksionuar që arrin rreth 20 mcm.
“Fatmirësisht, 25 milionë metër kub të tjerë vijnë nëpërmjet Gazsjellësit TransAdriatik, rreth 10 milionë metër kub nga Norvegjia dhe 45 milionë metër kub ngarkesë gazi të lëngshëm në terminalet tona të rigazifikimit.” – shpjegoi ministri i Energjisë.
“Nuk e kemi përmbysur gjendjen. Rusia vazhdon të ketë interes për eksportimin e gazit dhe ne nuk jemi në gjendje të vetëmjaftueshmërisë. Nuk kemi dalë ende nga tuneli.” – theksoi ai.
Sipas Pichetto Fratin, Italia do e kalojë këtë dimër, ‘por shqetësimi mbetet i fortë sepse nga maji duhet të mbushim rezervat për të mbuluar sezonin e ardhshëm të dimrit dhe kjo është një ndërmarrje e vështirë’.
Italia, së bashku me vendet e tjera të BE-së, ka qenë duke luftuar me inflacionin rekord, i nxitur kryesisht nga rritja e kostove të energjisë. Vendi mbështetet në importet e energjisë për gati 75% të energjisë së tij. Në fillim të këtij viti, ajo merrte 40% të gazit të saj nga Rusia, por importet më vonë ranë për shkak të sanksioneve ndaj Moskës dhe sabotimit të gazsjellësit Nord Stream.
Në tetor, grupi energjetik Eni tha se Rusia tani përbën vetëm rreth 10% të importeve të gazit të Italisë.