Deputeti i PD-së Edmond Spaho ka ngritur sot në Parlament shqetësimin lidhur me rregulloren, për ndarjen e kohës së fjalëve për deputetët.
Spaho ka kërkuar ndryshimin e Rregullores dhe lejimin e deputetëve të pavarur që të kenë në dispozicion më shumë se 1.7 minuta për të ngritur shqetësimet e tyre për zonën që përfaqësojnë, pasi sipas tij kjo kohë nuk mjafton.
Deputeti demokrat tha se kjo gjë ka krijuar një ndarje elektorati në të dorës së parë e të dytë.
“Në fakt desha të shpreh shqetësimin pikërisht për këtë që sapo thatë në lidhje me ndarjen e kohës e cila është bërë në përputhje me rregulloren. Dëshiroj të sjell në vëmendje që ne si deputetë na është vënë në dispozicion një javë kohë të shkojmë tek zgjedhësit për të diskutuar për problemet që kanë dhe më pas në seancën që organizohet një herë në muaj, na jepet mundësia që të diskutojmë dhe të informojmë organet e ekzekutivit se cilat janë shqetësimet në terren.
Unë mendoj se mekanizmi i ndarjes së kohës është jo i drejtë, për një javë punë në terren mua më jepni vetëm 1.7 minuta për të diskutuar. Çfarë mund të them në aq kohë? Qoftë edhe në 2 minuta duke e rrumbullakosur.
Kolegët e grupeve parlamentare avantazhohen se ndajnë kohën mes tyre dhe flasin një muaj po një jo, e marrin kohën e nevojshme. Deputetët e pavarur nuk kanë mundësi të flasin. Edhe muajin tjetër ju prap do më jepni mua vetëm 1.7 minuta kohë. Nuk është problemi vetëm për mua si deputet. Ju në këtë mënyrë kategorizoni elektoratin, një elektorat i kategorisë së dytë i cili ka vetëm kaq pak kohë për të ngritur një shqetësim dhe një elektorat tjetër i deputetëve të grupeve parlamentare që me mekanizmin që u jep rregullorja kanë mundësi të diskutojnë gjerë e gjatë. Prandaj mendoj se kjo pikë e rregullores duhet rregulluar, që deputetëve të pavarur t’u jepet mundësia një herë në muaj të flasin të paktën vetëm 5 minuta.”- tha ai.