Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi sot se viktimat e dhunës duhet të mbrohen e përkrahen nga institucionet.
Gjatë fjalës së tij në çeljen e Nismës së Protokollit Shtetëror kreu i qeverisë shigjetoi ‘disa institucione’ duke nënkuptuar prokurorinë e gjykatat, por jo vetëm që në rastet e denoncuara të dhunës nuk janë marrë konkretisht me to, por i kanë mospërfillur e lënë pas dore.
“Ka raste kur institucionet i hedhin fajin njëra-tjetrës për mosveprim dhe gjithashtu shmangin përgjegjësitë apo neglizhojnë thirrjet e dhunës, kur ato trokasin në dyert e institucioneve. Në rastet e paraqitura, institucionet s’i kanë kryer rastet, duke i lënë pa trajtim rastet e viktimave. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç, e i neve të gjithëve së bashku. Viktimave iu takon përkrahja institucionale, përkujdesje adekuate shëndetësore e psikologjike.” – deklaroi Kurti.
Tre ditë më parë një 35-vjeçare u vra në oborrin e maternitetit në Qendrën Spitalore të Kosovës. Për vrasjen është akuzuar bashkëshorti, Sokol Halili, i cili u vetëvra pak më vonë.
Vrasja e gruas shtatzënë në Kosovë nga ish-burri i saj nxori zbuluar dështimin e organeve ligjzbatuese.
Në rastin në fjalë, autori ka qenë disa herë i referuar në prokurori si për dhunë ndaj gruas, ashtu edhe për armëmbajtje pa leje dhe në këto raste ai asnjëherë nuk ka vuajtur ndonjë dënim që mund të shmangte tragjedinë.
Viktima e e kishte denoncuar vrasësin disa herë për shkak të dhunës së ushtruar mbi të, si edhe për shkak të kanosjes.
Në gusht 2022, prokurori Rasim Maloku e kishte udhëzuar viktimën që ta bënte kërkesën për marrjen e urdhrit mbrojtës nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Të nesërmen, prokurori kishte ngritur aktakuzë për kanosje, por nuk e kishte kërkuar paraburgimin e tij.
Në shtator 2022, vrasësi ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje por u dënua vetëm me gjobë.