Ish-zëvendës drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani ka folur për incidentin e ndodhur në protestën e sotme, ku u sulmua ish-kryeministri Sali Berisha.
Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion”, Breçani ka treguar se si e kanë neutralizuar të riun e më pas e kanë dërguar selinë e PD-së duke pritur mbërritjen e forcave të policisë. Sipas tij, Shehu është kapur duke kryer lëvizje të dyshimta në oborrin e PD-së dhe sulmi ndaj ish-kryeministrit ka qenë i planifikuar.
Breçani tha se 31-vjeçari Gert Shehu kishte gjetur si pikë të dobët për t’iu afruar Berishës pjesën para tij ku qëndronin gazetarët, pasi në të gjitha anët e tjera ai ishte i mbrojtur.
“Isha 10 metra larg. Berisha ishte i mbrojtur në të gjithë perimetrin vetëm përpara ku ndodhen gazetarët. Me bodyguardët ka qenë e gjithë zona. Unë isha rreth 10 metra më përtej nën shoqërinë e ish-oficerëve të liruar. Kur dëgjuam incidentin u afrova. Ne reagojmë sepse profesioni na detyron të reagojmë. Kam pasur një goditje pa dashje gjatë ndërhyrjes për ta marrë me vete. Ai edhe kur shtrihet në tokë vazhdon goditjet kundër simpatizantëve të PD.
Kur unë shkova aty e ndërprenë goditjet. Nuk kishte punonjës policie afër. Ne e morëm, njoftuam sallën operative. E dërguam në ambientet e PD. Erdhën punonjësit e policisë së shtetit. I kërkova a ke dokument identifikimi. Nuk kishte as telefon me vete. I tha emër mbiemër. Më tha bëra atë që duhej bërë. Nuk tha asnjë fjalë kush e ka futur dhe nga ka ardhur. I thashë me kë ke ardhur në protestë. Ishte i prerë. Thoshte duhet të bëja atë që duhej bërë. Nuk mund duk se ishte i çmendur. As telefon asgjë nuk kishte me vete. Nuk foli asnjë fjalë.
Kur erdhi policia nuk e hapi gojën. Ata e vunë në pranga. Policia e kreu normal punën e saj. Detyrimisht policia erdhi me vonesë. Sepse ka një sallë operative. Ambulanca erdhi me punonjës të policisë për të marrë personin. Për kohën që kam qëndruar në PD, është parë në kamerat e sigurisë ka tentuar edhe në oborrin e PD është sjellë rreth e qark. E ka gjetur pikën e dobët, duke ndërhyrë para gazetarëve. Është i njëjti që ka tentuar të hyjë brenda. Kishte forcë fizike edhe goditjen e ka dhënë të mirë.”- deklaroi ai.
Episodi i rëndë ndodhi teksa kreu i PD-së Berisha po marshonte me kreun e PL-së Ilir Meta e qytetarë të shumtë në bulevardin para ish-Hotel Dajtit.
Lidhur me sulmin ndaj tij, kreu i PD-së Berisha akuzoi kryeministrin Rama, ministrin e Brendshëm Çuçi e shefin e Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore Ardi Veliu se janë ideatorët, orkestruesit dhe organizatorët e sulmit ndaj tij në protestë.
Ai tha se sulmuesi 31-vjeçar Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale ndërsa tregoi një dokument mjekësor të shpërndarë në media, sipas të cili agresori vuante nga çregullime psikike.