Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka reaguar gjithashtu lidhur me incidentin e ndodhur sot në protestën e opozitës ku një qytetar goditi kreun e PD-së, Sali Berishën.
Nikolla thotë se dhuna është e papranueshme në një shoqëri demokratike dhe kërkoi që dhunuesi të marrë dënimin e merituar sipas ligjit.
“Dhuna është e papranueshme në një shoqëri demokratike. Ushtruesit e dhunës duhet të marrin dënimin e merituar nga ligji. Prandaj inkurajoj organet ligjzbatuese dhe të drejtësisë të veprojnë pa hezitim dhe të zbatojnë ligjin ndaj dhunuesit të deputetit!”- thotë Kryetarja e Kuvendit.
Incidenti ndodhi në fillim të protestës së opozitës në Bulevard, ku një 31-vjeçar i identifikuar si Gentian (Gert) Shehu goditi me grusht kreun e PD-së, Sali Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Rama, ministrin e Brendshëm Çuçi e shefin e Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore Ardi Veliu se janë ideatorët, orkestruesit dhe organizatorët e sulmit ndaj tij në protestë.
Ai tha se 31-vjeçari Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale ndërsa tregoi një dokument mjekësor të shpërndarë në media, sipas të cili agresori vuante nga çregullime psikike.