Vendosni fjalën kyçe....

Organizata Trump shpallet fajtore për krime tatimore pas gjyqit në Nju Jork


Kompania e pasurive të paluajtshme e familjes së ish-presidentit amerikan Donald Trump është shpallur fajtore për krime tatimore.

Organizata Trump u dënua për të gjitha akuzat që i ishin ngritur të martën pas dy ditësh diskutimesh të jurisë në Nju Jork.

Kompania u dënua për pasurimin e drejtuesve të saj të lartë me përfitime të cilat nuk u ishin taksuar për më shumë se një dekadë.

Përfitimet e pataksuara përfshinin makina luksoze dhe tarifa të shkollave private, të cilat kompensonin pagat më të ulëta dhe për këtë arsye ulën shumën e taksës që biznesi duhej të paguante. Kompania pritet të përballet me një gjobë prej rreth 1.6 milion dollarë dhe gjithashtu mund të përballet me vështirësi në sigurimin e kredive dhe financimin në të ardhmen, shkruan BBC.

Trump e ka kritikuar gjyqin si të motivuar politikisht. Ai gjithashtu sulmoi ish-shefin ekzekutiv financiar të tij prej kohësh, Allen Weisselberg, pasi ai u deklarua fajtor dhe dëshmoi kundër biznesit.

Ndërkohë Një avokat i kompanisë tha se do të apelonte dënimin.

Prokurorët akuzuan kompaninë se kishte një “kulturë mashtrimi” gjatë gjyqit. Ata thanë se kishte një skemë që lejonte disa drejtues të “nënvlerësonin kompensimin e tyre” në mënyrë që taksat e tyre “të ishin dukshëm më të vogla se shumat që duhej të ishin paguar”.

Dy degë të Organizatës Trump – Trump Corp dhe Trump Payroll Corp – u dënuan për të 17 akuzat për mashtrim tatimor dhe falsifikimin e të dhënave të biznesit.

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, vlerësoi vendimin të martën, duke thënë se: “Për 13 vjet, ‘Trump Corporation’ dhe ‘Trump Payroll Corporation’ ia hidhnin me një skemë që u jepte drejtuesve të nivelit të lartë përfitime dhe kompensime bujare, ndërkohë që fshihte qëllimisht përfitimet nga autoritetet tatimore.”

Trump dhe tre fëmijët e tij më të mëdhenj po përballen me një padi të veçantë civile të ngritur nga prokurori i përgjithshëm i Nju Jorkut, i cili mund t’i ndalojë ata të bëjnë biznes në shtet.