Vendosni fjalën kyçe....

Pse protesta nuk u mbajt para Kryeministrisë? Berisha: Nuk donim t’ja jepnim Ramës këtë fitore


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se protesta e ditës së sotme ia ka arritur qëllimit të saj.

Në një konferencë për mediet pas protestës, Berisha tha arsyet se përse protesta nuk u mbajt përpara Kryeministrisë sikurse ishte paralajmëruar prej tij. Duke iu përgjigjur gazetarëve, Berisha tha se nuk donte të krijonte pasiguri në prani të liderëve europianë.

“E gjithë Europa pa një protestë për probleme politike. Natyrisht Edi Rama do të marrë përgjigje, të jesh e sigurtë për këtë. Këtu të mos kemi iluzion. Do ta merrni vesh. Unë nuk bëj si ai, nuk mbaj sekrete. Këtë herë ndërtesën e Kryeministrisë nuk e bllokuam për dy arsye. Ai mund të organizonte ndonjë pritje aty dhe ne nuk donim që aty, në prani të liderëve të tjerë, të krijonim pasiguri. Nuk donim t’i jepnim Ramës një fitore të tillë.

Në çdo Samit ka një zonë sigurie shumë më të ngushtë nga ajo që caktoi ky. Në atë zonë askush nuk mund të shkelë, kudo dhe në çdo rast. Ky futi kryeministrinë në atë zonë, në një akt frikacak. Ky nuk shkonte dot nëpër tunele, sepse kishte miqtë këtu, ne deklaruam ta bënim në bulevard protestën dhe menduam se ky duhet të ishte qëndrimi ynë. Qytetarët janë të gatshëm kurdoherë, jam unë ai që i frenon.”– është shprehur Berisha.

Ai u pyet edhe për reagimin e Ambasadës së SHBA-ve dhe kryeministrit Edi Rama për incidentin ku u qëllua në protestë nga një qytetar.

 “Edi Rama është organizatori i këtyre sulmeve, do të qëndrojë duar jashtë, ndërkohë që është 100% organizatori i tij.

Koment mund të bëj këtë, që në betejën kundër opozitës kam ato fjalë që thashë aty në miting. Dhe do t’i them edhe më fuqishëm, sepse qëndrimet, përdorimi i korrupsionit të Edi Ramës dhe Sorosit, për të ndihmuar Ramën duke gëlltitë opozitën është një akt jashtëzakonisht i rëndë dhe në këtë kontekst ky është qëndrimi ynë i palëkundur.”– tha Berisha.