Në konferencën e sotme me gazetarët pas Samitit të BE-së, kryeministri Edi Rama tha se kjo është një ngjarje historike për vendin tonë.
“Dua të falendëroj me gjithë zemër Charles Michel dhe mikun e dashur dhe mbi të gjitha një mik i vërtetë besnik i angazhuar në rajon se e kam parë të luftojë për rajonin dhe për këtë dua të bashkohem edhe për Ursulën një luftëtare e madhe për rajonin. Nuk kemi pasur kurrë një president Këshilli si Charles dhe Ursula, kaq të vendosur për të qenë avokatë të rajonit, pasi e dimë që ky proces është mjaft i vështirë në vetvete. Do të doja të theksoja përmasën historike të këtij Samiti. Është hera e parë që BE-ja del nga kufijtë për të mbajtur një samit pikërisht në Shqipëri. Është një shenjë e jashtëzakonshme mbi të gjitha që këto ditë BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor aq sa ka Ballkani Perëndimor për BE-në.”– tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se kishte një lajm shumë të mirë për të rinjtë për disa projekte që janë diskutuar në Samitin e Tiranës.
“Studentët dhe të rinjtë kanë një lajm të shkëlqyer. Jo vetëm universitete do të jenë në gjendje të angazhohen me Erazmus Plus por me aleancën e arsimit të lartë në Evropë. Në një moment kur të jenë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme, studentët tanë mund të studiojnë prej këtej në universitetet e Evropës në mënyrë digjitale. Kjo ishte diçka që deri më sot ishte e mundur vetëm po të ishe anëtar. Edhe ‘rrugët e gjelbra’ me Kroacinë apo me vend tjetër është gjë e re. Tjetër gjë fantastike që diskutuam dhe morëm mbështetjen plotë të udhëheqësve për të pasur në Tiranë kampusin e Kolegjit të Evropës në Bruzh. Një universitet me reputacion mjaft të lartë. Është koha që këtë kampus ta ngremë në Tiranë. Jo më pak është marrëveshja për Roaming, qytetarët tanë do të kenë tarifa më të ulëta.”- tha Rama.