Vendosni fjalën kyçe....

155 persona të lënduar nga përplasja e dy trenave në Spanjë


Të paktën 155 persona janë lënduar pasi dy trena u përplasën këtë të mërkurë në periferi të Barcelonës.

Përplasja, e cila ndodhi rreth orës 07:50 të mëngjesit ndodhi në një stacion në rajonin verilindor të Katalonjës të Spanjës.

Mediat lokale raportuan se trenat po udhëtonin në të njëjtin drejtim dhe u përplasën në një kohë kur njëri prej tyre ishte i parkuar në stacion.

Policia katalanase po heton se si ka ndodhur ngjarja.

Sipas BBC-së, zyrtari i shërbimeve të urgjencës, Joan Carles Gomez, u tha gazetarëve në vendngjarje se 155 persona ishin lënduar nga përplasja, me 14 pasagjerë të transferuar në një qendër mjekësore lokale për trajtim të mëtejshëm.

“Po flasim për shumë mavijosje dhe disa lëndime në kokë, por asgjë serioze.”- tha ai, duke shtuar se pasagjerët po ekzaminohen për të “përjashtuar ndonjë frakturë”.

Gomez tha se treni po lëvizte “shumë ngadalë (kur ndodhi përplasja), por njerëzit që ishin në këmbë u rrëzuan dhe u lënduan”.

Një zëdhënës i shërbimit rajonal të zjarrfikësve tha se treni në lëvizje ishte përplasur me “pjesën e pasme” të një treni të palëvizshëm në stacion. Trafiku i trenave u ndërpre për një kohë të shkurtër në disa linja për shkak të aksidentit.

Duke përshkruar momentin e përplasjes, një pasagjere i tha gazetës Ser Catalunya se kishte përjetuar “një goditje të jashtëzakonshme” dhe se “njerëzit po bërtisnin”.

Një tjetër pasagjere tha për BBC se ajo kishte parë “njerëz me gjak, sepse ata kishin pësuar një plagë nga goditja”.

Ministrja spanjolle e Transportit Raquel Sánchez tha se ajo po monitoronte nga afër situatën dhe u uroi “shërim të shpejtë” të plagosurve.