Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori amerikan pas incidenteve në Veri të Kosovës: Jemi të shqetësuar që nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve


Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë Jeff Hovenier ka reaguar lidhur me shpërthimet dhe tensionet në veri të Kosovës.

Hovenier në një postim në “Twitter” shprehet se përdorimi i pajisjeve shpërthyese nuk është metodë e përshtatshme proteste në asnjë rrethanë ndërsa bën thirrje për vetëpërmbajtje. Ai ngre shqetësimin se ende nuk janë vendosur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë ata që kryen dhunë gjatë incidenteve të djeshme në veri të Kosovës. Kthimi ndaj dhunës dhe frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një pajisjeje shpërthyese dhe rrezikimin e jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë.

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se në këtë kohë nuk janë vendosur kushtet që zgjedhjet të mbahen më vonë gjatë këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve kosovarë duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen.” – thuhet në reagimin e ambasadorit.

Shpërthimet janë raportuar të kenë ndodhur pasditen e djeshme në Veri të Kosovës, në komuna të banuara me shumicë serbe, Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok-ut. Atje qytetarë serbë janë mbledhur para objektit të komunës dhe kanë penguar punën e disa zyrtarëve të komisioneve komunale zgjedhore që të futen brenda objektit.