Vendosni fjalën kyçe....

“Dëshmia e agjentit e nxori zbuluar, FBI ndikoi në censurën e Facebook e Twitter ndaj historisë së laptopit të Hunter Biden” – Prokurori i Misurit


Majtas Prokurori i Misurit Eric Schmitt, në mes Hunter Biden, djathtas drejtori i FBI-së Christopher Wray

Zyrtarët nga FBI-ja dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare takoheshin shpesh me kompanitë kryesore të mediave sociale përpara zgjedhjeve të vitit 2020 dhe përcaktuan përdoruesit dhe përmbajtjet që duheshin hequr, sipas informacionit nga një dëshmi e një agjenti të rëndësishëm të FBI-së të zbuluar nga një Prokurori i Përgjithshëm i shtetit.

“Ne zbuluam se FBI-ja luan një rol të madh në punën me kompanitë e mediave sociale për të censuruar fjalën e lirë – nga takimet javore me kompanitë e mediave sociale përpara zgjedhjeve të 2020 deri tek kërkesa për heqjen e llogarive.” – tha Prokurori i Përgjithshëm i Misurit, Eric Schmitt në një seri postimesh në Twitter, tre ditë pas dëshmisë së agjentit special Elvis Chan, i cili është përgjegjës për çështjet kibernetike në zyrën e FBI në San Francisko.

Prokurori i Missouri-t Eric Schmitt

Chan u ka dhënë paralajmërime kompanive të mëdha të mediave sociale që i kanë shtyrë ata të censurojnë informacione në lidhje me një laptop që i përket Hunter Biden, djalit të Presidentit Joe Biden, pak para zgjedhjeve që vendosën Biden në Shtëpinë e Bardhë, sipas një padie kundër administratës Biden të udhëhequr nga Schmitt dhe Prokurori i Përgjithshëm i Luizianës, Jeff Landry.

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray

Laptopi përmbante informacione në lidhje me marrëdhëniet e Hunter Biden me kompani jashtë vendit që duket se tregon përpjekje për të përfituar nga pozita e të atit, i cili në atë kohë ishte zv.president.

Padia pretendon se administrata ka shkelur Amendamentin e Parë duke ndikuar në mediat sociale për të censuruar çështjen, duke përfshirë historinë e laptopit.

Chan dëshmoi se ai dhe zyrtarë nga Task Forca e FBI-së dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike të DHS-së po takoheshin me zyrtarë të mediave sociale në baza tremujore, më pas mujore dhe më në fund javore ndërsa afroheshin zgjedhjet, tha Schmitt në postimet e tij në Twitter.

Prokurori i Përgjithshëm i Luizianës, Jeff Landry

“Chan deklaroi se FBI-ja u dërgonte rregullisht kompanive të mediave sociale lista të URL-ve dhe llogarive të mediave sociale që duheshin hequr, sepse ato ishin dezinformata nga ‘operacionet keqdashëse të ndikimit të huaj’.” – tha Schmitt, duke shtuar se ‘në shumë raste platformat hoqën llogaritë e shënuara nga FBI.

FBI u mbrojt duke sugjeruar se thjesht po u jepte kompanive informacione se kush po fliste në platformat e tyre.

“FBI angazhohet rregullisht me entitete të sektorit privat për të ofruar informacion specifik për aktivitetet subversive, të padeklaruara, të fshehta ose kriminale të aktorëve të identifikuar me ndikim malinj.” – tha byroja në një deklaratë për Fox News.

“Nuk bazohet në përmbajtjen e ndonjë mesazhi apo historie të veçantë.”– shtoi FBI-ja në reagimin e saj.

Megjithatë, prokurorët e përgjithshëm besojnë se FBI po përpiqej në mënyrë specifike të bllokonte hitorinë e laptopit të Hunter Biden.

“Chan u tha personalisht kompanive të mediave sociale se mund të kishte një operacion rus hakimi pak para zgjedhjeve.” – tha Schmitt.

Chan gjithashtu iu referua operacionit si një “hak dhe hale”, tha një burim i paidentifikuar në zyrën e Schmitt për Fox News.

“Për sa i përket informacionit dhe besimit, referenca e FBI-së ndaj një ‘depozitimi’ informacioni ishte një referencë specifike ndaj përmbajtjes së laptopit të Hunter Biden, i cili ishte tashmë në posedim të FBI-së.” – thuhet në padi.

FBI argumentoi se kompanitë e teknologjisë po censurojnë përmbajtjen me dëshirën e tyre.

“Subjektet e sektorit privat marrin në mënyrë të pavarur vendimet për veprimet, nëse ka të tilla, në platformat e tyre dhe për klientët e tyre pasi FBI-ja i ka njoftuar ata.” – thuhet në deklaratën e saj.

Depozitimi, megjithatë, tregoi se FBI-ja u kujdes që sugjerimet e saj të censurës të zbatoheshin.

Pas shënimit të disa lidhjeve dhe llogarive ‘FBI më pas pyeti nëse platformat e kishin hequr përmbajtjen’, tha Schmitt në Tëitter.

Ka gjithashtu prova që kompanitë ndiheshin të detyruara të vepronin në lidhje me kërkesat për heqjen e llogarive apo përmbajtjeve, sepse ato vinin nga FBI.

“Nëse FBI-ja…nëse vijnë tek ne dhe na thonë se duhet të jemi vigjilentë për diçka, atëherë unë duhet ta marr seriozisht.” – tha Mark Zuckerberg, shefi ekzekutiv i Meta-s, i njohur më parë si Facebook, gjatë një interviste në gusht me prezantuesin e podkastit Joe Rogan.

FBI i tha Facebook-ut përpara zgjedhjeve që të ishte ‘në gatishmëri të lartë’ në lidhje me diçka ‘të ngjashme’ me ‘propagandën ruse’ përpara zgjedhjeve të 2016-ës, tha Zuckerberg.

“Do të ketë një lloj ndërhyrjeje…kështu që thjesht jini vigjilentë.” – tha ai duke kujtuar mesazhin e FBI-së.

Facebook më pas bllokoi historinë e laptopit të Hunter Biden.

Zuckerberg tha se nuk mund të mbante mend nëse FBI e kishte shënuar në mënyrë specifike historinë në fjalë, por tha se ‘në thelb i përshtatej modelit’ që FBI kishte identifikuar.

Twitter e bllokoi  historinë sipas politikës së saj kundër informacionit ‘të hakuar’, edhe pse nuk kishte asnjë provë që informacioni ishte hakuar.

Kishte një farë konfuzioni midis drejtuesve të Twitter-it se si u justifikua bllokimi i historisë së laptopit, sipas komunikimeve të brendshme në Twitter të marra nga gazetari i pavarur Matt Taibbi.

“Unë mbështes përfundimin se ne kemi nevojë për më shumë fakte për të vlerësuar nëse materialet ishin hakuar.” – tha zv.këshilltari i përgjithshëm i Twitter, James Baker, i cili më herët ka qenë ish-këshilltar i përgjithshëm për FBI-në.

Dëshmia e Chan u urdhërua muajin e kaluar nga gjykatësi i qarkut Terry Doughty, një i emëruar i ish-presidentit Donald Trump.

Chan ‘luajti një rol kritik për FBI-në në bashkërendimin me platformat e mediave sociale që lidhen me censurën’, tha gjykatësi federal i Luizianës.

Urdhri nënkuptonte një fitore të rëndësishme për Schmitt dhe Landry.

“Që nga ngritja e padisë sonë, ne kemi gjetur një mori zbulimesh që tregojnë një ‘operacion gjigant censurimi’ tha Schmitt në një deklaratë që zyra e tij i dërgoi me email The Epoch Times.

“Tani ne po rrëzojmë zyrtarë të lartë të qeverisë dhe jemi ndër të parët që kemi parë nën rrogoz. Informacioni që kemi zbuluar perms dëshmive ka qenë tronditës, kjo më e pakta. Është e qartë nga dëshmia e së martës se FBI ka një rol jashtëzakonisht të ngushtë në punën për censurimin e lirisë së fjalës. Qëndroni të sintonizuar.”

Landry shtoi: “Amerikanët duhet të jenë të inatosur që gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, agjencitë federale shpërndanë informacione që janë hedhur poshtë që prej asaj kohe. Për më tepër, agjenci si FBI kontaktuan platformat e mediave sociale për të censuruar fjalën e lirë për të ‘na mbrojtur’ nga dezinformimi. Ky rast është vetëm një nga hapat e shumtë që kemi ndërmarrë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve tanë përmes Amendamentit të Parë. Asnjë amerikan nuk duhet të censurohet nga qeveria.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Theepochtimes