Vendosni fjalën kyçe....

Estonia thotë se s’mund të pranojë më refugjatë ukrainas


Estonia nuk do jetë në gjendje të përballojë një fluks të ri të mundshëm të refugjatëve nga Ukraina dhe pret që vendet e tjera të BE-së, si Finlanda, t’i strehojnë ata, tha kryeministrja Kaja Kallas.

Talini tashmë ka një marrëveshje në tentativë me Helsinkin për këtë çështje, tha ajo të martën në një intervistë radiofonike.

Kallas shprehu krenarinë për bujarinë e treguar nga kombi i saj ndaj ukrainasve që nga fillimi i konfliktit me Rusinë, por shtoi: “Çdo gjë ka kufirin e vet, ne nuk jemi më në gjendje të pranojmë njerëz sepse na mbaruan banesat dhe vendet e punës, të tjerët duhet të bëjnë më shumë.”

“Ne folëm me Finlandën për faktin se nuk jemi më në gjendje të ndihmojmë refugjatët nga Ukraina dhe finlandezët thanë se mund të strehojnë më shumë njerëz.” – shtoi Kallas.

Estonia deri më tani nuk ka dëshmuar një rritje të të ardhurve të rinj, pavarësisht nga përkeqësimi i gjendjes në Ukrainë, njoftoi kryeministrja. Qeveria po ofron ndihmë për Kievin ‘për të krijuar kushte jetese atje, në mënyrë që njerëzit të mos largohen’, tha ajo.

Disa zyrtarë estonezë shprehën më herët shqetësime për mundësinë e një vale tjetër refugjatësh ukrainas. Ministri i Jashtëm Urmas Reinsalu bëri thirrje për vendosjen e kontrolleve kufitare brenda zonës Shengen, në mënyrë që qeveria të mund të kuptojë më mirë se sa ukrainas po qëndrojnë në Estoni në vend që të kalojnë tranzit në vendet e tjera.

Sipas ministrit, rreth 20,000 ukrainas, të cilët deklaruan qëllimin e tyre për të qëndruar në Estoni, nuk morën kurrë statusin e refugjatit.