Vendosni fjalën kyçe....

Goditi e rrëzoi përtokë një person në Botërorin e Katarit, ikona e futbollit kërkon ndjesë: Incident fatkeq (Video)

Ish-lojtari i Barcelonës dhe Kamerunit, Samuel Eto’o, ka kërkuar falje në rrjetet sociale pasi u shfaq një video ku ai sulmoi një tifoz në Kupën e Botës në Katar 2022.

Incidenti ndodhi pas fitores së Brazilit ndaj Koresë së Jugut për 1/16-at në Doha të hënën mbrëma, ku mori pjesë edhe kreu i Fdederatës së Futbollit të Kamerunit Samuel Eto’o.

Në pamjet e shikuara më shumë se pesë milionë herë në Twitter, që u shpërndanë nga gazeta spanjolle ‘La Opinion’, Eto’o fillimisht duket i lumtur të pozojë për një foto me tifozët megjithatë pas pak çastesh ai zemërohet me një person i cili kishte një aparat fotografik në dorë, të cilin e ndjek duke e goditur më pas me gju e duke e rrëzuar në tokë.

Ish-lojtari kërkoi falje në Twitter të martën pasdite për atë që ai e përshkroi si një ‘zënkë të dhunshme’ me një njeri që ai supozoi se ishte ‘ndoshta’ një tifoz i Algjerisë.

“Pas ndeshjes Brazil-Kore e Jugut, pata një grindje të dhunshme me një person që ndoshta ishte një mbështetës algjerian.” – shkroi Eto’o.

“Dëshiroj të kërkoj falje që humba durimin e reagova në një mënyrë që nuk përputhet me personalitetin tim. I kërkoj falje publikut për këtë incident fatkeq.”

 

Personaliteti algjerian i mediave sociale Said Mamouni publikoi më pas një video në YouTube duke pretenduar se ai ishte personi që u sulmua nga Eto’o.

Mamouni thotë se Eto’o u bë i dhunshëm pasi e pyeti fituesin e Ligës së Kampionëve nëse i kishte dhënë ryshfet gjyqtarit gambian Bakary Gassama gjatë një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës mes Kamerunit dhe Algjerisë në mars, të cilën Kameruni e fitoi 2-1 në momentet e fundit të ndeshjes së dytë dhe u kualifikua për në Katar 2022.

“Zotohem të vazhdoj t’i rezistoj provokimit të pamëshirshëm dhe ngacmimit të përditshëm të disa mbështetësve algjerianë.” – u zotua Eto’o në deklaratën e tij.

“Në të vërtetë, që nga ndeshja Kamerun-Algjeri më 29 mars në Blida, unë kam qenë objektiv i ofendimeve dhe akuzave për mashtrim pa asnjë provë.”

“Gjatë këtij Botërori, tifozët kamerunas janë ngacmuar dhe ngacmuar nga algjerianët për të njëjtën temë. Të gjitha ankesat e bëra nga Federata Algjeriane e Futbollit në juridiksionet kompetente janë refuzuar. Prandaj u bëj thirrje autoriteteve dhe Federatës Algjeriane që të marrin përgjegjësitë e tyre për t’i dhënë fund kësaj klime jo të shëndetshme përpara se të ndodhë një tragjedi më e rëndë.” – përfundoi Eto’o.

Eto’o mund të përballet me veprime ligjore pasi Mamouni pretendoi në adresën e tij video se ai kishte paraqitur një ankesë kundër 41-vjeçarit në një stacion policor të Katarit pas sulmit.

Eto’o u tërhoq nga futbolli profesionist në vitin 2019 pas një karriere mbresëlënëse.