Vendosni fjalën kyçe....

Indonezia do dënojë me burg personat që bëjnë seks paramartesor


Seksi paramartesor në Indonezi do dënohet deri në një vit burg pasi deputetët miratuan një rishikim masiv të Kodit Penal të vendit, pavarësisht protestave nga aktivistët e të drejtave të njeriut.

Legjislacioni i ri, i cili do hyjë në fuqi pas tre vjetësh dhe do zbatohet si për shtetasit indonezianë ashtu edhe për të huajt vizitorë, ndalon të gjitha marrëdhëniet seksuale jashtë martesës dhe gjithashtu ndalon çiftet e pamartuara të jetojnë së bashku, gjë që do të dënohej me gjashtë muaj burg.

Projektligji u mbështet nga të gjitha partitë politike në parlament. Ai gjithashtu kriminalizon nxitjen e kontracepsionit si dhe blasfeminë, fyerjet kundër presidentit apo institucioneve shtetërore, mbajtjen e protestave të paautorizuara dhe përhapjen e pikëpamjeve në kundërshtim me ideologjinë e kombit me shumicë myslimane.

Kodi i ri u propozua për herë të parë në vitin 2019 dhe u prit me protesta të ashpra, me dhjetëra mijëra demonstrues që thanë se legjislacioni ishte një kërcënim për lirinë e shprehjes dhe të drejtat e privatësisë.

Edhe pse ligjvënësit zbutën disa aspekte të projektligjit, aktivistët e të drejtave të njeriut megjithatë e kanë cilësuar atë si një ‘pengesë’ të madhe për atë që konsiderohet të jetë demokracia e tretë më e madhe në botë.

Sektori i turizmit e ka dënuar gjithashtu legjislacionin e ri si ‘plotësisht kundërproduktiv’, me Maulana Yusran, nënkryetare e bordit të industrisë së turizmit të Indonezisë, duke thënë se do të ketë një ndikim jashtëzakonisht negativ teksa vendi ka nisur një rimëkëmbje të ngadaltë nga pandemia Covid-19.

Shoqata e turizmit të Indonezisë kishte sugjeruar më parë që ardhjet e huaja në destinacionet e pushimeve si Bali pritej të arrinin nivelet vjetore para pandemisë prej gjashtë milionë deri në vitin 2025.

Albert Aries, një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë të Indonezisë, ka mbrojtur ligjet e reja, duke thënë se ato synojnë ‘të mbrojnë institucionin e martesës dhe vlerat indoneziane’.