Vendosni fjalën kyçe....

Pas mjekimit te Trauma, policia arreston 31-vjeçarin që qëlloi dje me grusht Berishën


Gert Shehu është arrestuar ditën e sotme nga policia, pasi ka përfunduar marrjen e mjekimit te Spitali i Traumës. Sipas Policisë, 31-vjeçari i cili goditi me grusht Sali Berishën akuzohet për “goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje”.

Pas incidentit, ish-kryeministri, Sali Berisha është thirrur që të dëshmojë në polici për sulmin ndaj tij. Por drejtori i Komunikimit në PD Alfred Lela tha se dhuna u pa live dhe Berisha e kishte dhënë tashmë dëshminë e tij përmes deklaratave për shtyp. Ai tha se Berisha nuk mund të harxhojë asnjë minutë për policinë që e cilëson politike dhe sipas tij i vjen “era korrupsion”. 

Njoftimi i Policisë:

Tiranë-Strukturat e posaçme të Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës, të DVP Tiranë, dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kryerjes së një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ngjarjen e ndodhur më datë 06.12.2022, arrestuan në flagrancë shtetasin:

Gert Shehu, 31 vjeç, banues në Tiranë, për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka goditur me grusht në fytyrë, deputetin Sali Berisha, duke i shkaktuar dëmtime fizike, gjatë kohës që ai po lëvizte me këmbë, në bulevardin Zhan D’Ark, në drejtim të vendit ku do të zhvillohej protesta e planifikuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.