Parkimi është një mision i vështirë në Tiranë, por edhe kosto për të lënë makinën një apo disa orë sa vjen e rritet, teksa parashikohet që vitet e ardhshme shuma totale e paguar të luhatet në rreth 5 milionë euro.
Sipas të dhënave të Bashkisë së Tiranës, në vitin 2022, të ardhurat e pritshme nga parkimi pritet të jenë gati 500 milionë lekë, nga 575 milionë lekë që ishte plani fillestar.
Arkëtimet e Bashkisë nga parkimi i automjeteve përbëjnë rreth 4% të të ardhurave që Tirana siguron nga taksat dhe tarifat.
Në vitet në vazhdim, Bashkia pret që të mbledhë më shumë të ardhura nga tarifa e parkimit. Në 2023-n, përdoruesit e automjeteve pritet të paguajnë 602 milionë lekë (5.2 milionë euro). Në dy vitet në vijim të ardhurat e Bashkisë nga parkimi pritet të rriten më tej, në përkatësisht 623 milionë lekë në 2024-n dhe 647 milionë lekë në 2025-n.
Sipas relacionit të projektbuxhetit 2023-2025 të Bashkisë Tiranë, parashikimi i të ardhurave të realizuara nga tarifat e parkimit nga Tirana Parking për vitet 2023-2025 për parkimin në rrugë është bërë duke marrë parasysh kapacitetet e rrugëve me tarifim të cilat nga numërimi i fundit faktik në terren rezultojnë të jenë:
Zona A – 39 rrugë me 1111 vende me pagesë
Zona B – 26 rrugë me 1,081 vende me pagesë
Zona C – 9 rrugë me 375 vende me pagesë
Parashikimi i të ardhurave të realizuara nga tarifat e parkimit nga Tirana Parking për vitet 2023-2025 për parkimin në sheshe është bërë duke marrë parasysh kapacitetet e tyre që rezultojnë të jenë:
Zona A – 8 sheshe me 922 vende parkimi
Zona B – 5 sheshe me 600 vende parkimi
Zona C – 1 sheshe me 108 vende parkimi
Të ardhurat nga sektori i inspektimit në rrugë, përveç shtimit të vendeve të reja, është parashikuar të rriten dhe si pasojë e dy faktorëve të tjerë si:
o Shtimi i një metode të dytë alternative të pagesës së shërbimit të parkimit
o Shfrytëzimi më efikas i vendparkimeve aktuale
Në të njëjtën kohë, sipas relacionit, është marrë parasysh vështirësia në realizim e të ardhurave që vjen si pasojë e dy faktorëve të mëposhtëm:
o Duke qenë se gjoba për mospagesën e tarifës së parkimit vendoset dhe arkëtohet nga Policia Bashkiake sjell vështirësi në realizimin e planit të parashikuar.
o Bllokime të rrugëve për shkak të kantiereve të ndërtimeve, punimeve në rrugë dhe aktiviteteve.
Së dyti, synohet të mblidhen detyrimet e prapambetura nga subjektet që operojnë si “taksi” duke bërë të mundur rritjen e të ardhurave për vitin 2023 e në vazhdim.
Së treti, numri i abonimeve i cili pretendohet të rritet me gati 5% duke marrë parasysh:
o Heqja e disa prej rrugëve me kapacitet të konsiderueshëm të vendparkimeve të Zonës A do të sjellë rritje të numrit të abonimeve.
o Tarifat e shërbimit të parkimit në rrugë gjithashtu ndikojnë për rritjen e numrit të abonimeve në sheshe.
o Shtimi në vitin 2022 i shesh parkimit nëntokësor të kopshti Zoologjik.
Së fundmi, duke marrë parasysh gjithë elementët e mësipërm dhe interesit të shprehur per kontrata të reja dhe rinovim të atyre ekzistuese nga subjektet private, edhe ky zë i të ardhurave të parashikuara nga Tirana Parking parashikohet të rritet mesatarisht me 4%, thekson relacioni.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al