Sulmi ndaj Sali Berishës ishte “vija e kuqe” për opozitën. Kështu ka deklaruar në një program televiziv sekretari për Diasporën në PD, Indrit Hoxha.
Gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me “News 24”, Hoxha vlerësoi truprojat e kryetarit të PD-së Sali Berisha, për reagimin e tyre pas sulmit, ku e morën 31-vjeçarin Gert Shehu dhe e mbrojtjën nga simpatizantët e revoltuar që nisën ta godisnin.
Ai paralajmeroi se në një vend ku fjalët nuk dëgjohen, ka ardhur koha për të vepruar.
“Truprojat e zotit Berisha janë për t’u falënderuar pasi e morën dhe e hoqën duke i shpëtuar edhe jetën. E shoqëruan duke ndjekur çdo procedurë. Nëse propaganda e qeverisë kërkon ta shesë si sulm të një njeriu që ka probleme mendore, nuk është e vërtetë. Ai ka qenë në selinë e PD, ka parë terrenin dhe ka shfrytëzuar pikën më të dobët për të bërë atë që bëri. Unë do të flas në një moment të dytë ka thënë ai, kjo tregon edhe se është një skenar i mirëmenduar. Sulmi ndaj kryetarit të PD-së, ishte vija e kuqe për opozitën. Kur cënonin liderin e opozitës, do presësh përgjigjen e merituar. T’ja lëmë kohës shumë shpejt do e kuptoni këtë deklaratë. Në një vend që fjalët nuk dëgjohen, duhet të veprosh!”- deklaroi Hoxha.
Episodi i rëndë ndodhi teksa kreu i PD-së Berisha po marshonte me kreun e PL-së Ilir Meta e qytetarë të shumtë në bulevardin para ish-Hotel Dajtit.
Lidhur me sulmin ndaj tij, kreu i PD-së Berisha akuzoi kryeministrin Rama, ministrin e Brendshëm Çuçi e shefin e Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore Ardi Veliu se janë ideatorët, orkestruesit dhe organizatorët e sulmit ndaj tij në protestë. Ai tha se sulmuesi 31-vjeçar Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale ndërsa tregoi një dokument mjekësor të shpërndarë në media, sipas të cili agresori vuante nga çregullime psikike.