Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria lajm kryesor në mediet ndërkombëtare, çfarë shkruajnë për Samitin e BE-së dhe sulmin ndaj Berishës


Mediet ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje ngjarjeve të djeshme në Tiranë, si organizimit të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, si dhe sulmit ndaj ish-kryeministri Sali Berisha.

Madje, dy nga gazetat më të rëndësishme politike të Gjermanisë “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe “Süddeutsche Zeitung”, sot kanë dalë me ballina të njëjta.

E fjala valle i bashkon në titujt e tyre: “Duhet vallëzuar” dhe “Valle në Tiranë”.

Titujt kryesorë në mediet e huaja i bënë jehonë faktit që blloku po tenton që përmes investimeve të krijojë një mburojë ndaj ndikimeve të huaja në rajon, kryesisht nga Rusia dhe Kina.

Agjencia e lajmeve Reuters, shkruan se presidenti serb Aleksandër Vuçiç, është kritikuar nga BE për raportet e tij të afërta me Moskën. Kjo pasi BE-ja kërkon të sigurojë Ballkanin Perëndimor mes frikës së ndikimit të Rusisë.

Associated Press” nga ana tjetër fokusohet tek përshpejtimi i procesit të pranimit të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Në artikull thuhet se Brukseli pret që partnerët nga rajoni të njësojnë plotësisht politikat e jashtme me ato të Unionit.

Vallet e kërcimet e përgatitura, parada e liderëve të BE-së dhe momente të tjera nga organizimi gjithashtu kanë tërhequr vëmendje.

“Ishte një galeri e pazakontë e të mëdhenjve evropianë të cilën liderët e Bashkimit Evropian i kaluan pranë me limuzinat e tyre të martën në mëngjes. Portrete të Kontit Koudenhove-Kalergi dhe Jean Monnet, të cilët janë ndër baballarët themelues të Unionit, u varën përgjatë bulevardit të gjerë që kalon nga veriu në jug përmes kryeqytetit shqiptar të Tiranës.”– shkruan Gjermanisë “Frankfurter Allgemeine Zeitung“.

Samiti në kryeqytetin shqiptar është i pari që mbahet në një vend të rajonit dhe si i tillë dhe vëmendja ishte e madhe.

Protesta e opozitës dhe sulmi ndaj Berishës

Por nga ana tjetër ishte sulmi ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha që u duk se “nxiu” pjesën tjetër të raportimeve.

Agjensia e lajmeve me qendër në Bruksel “Euroactiv” shkuan se ndërsa liderët e BE-së dhe rajonalë u takuan nën flamujt e Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në njërën skaj të bulevardit të kryeqytetit, “në anën tjetër mijëra shqiptarë të zemëruar u mblodhën në proteste, duke brohoritur ‘Rama, ik’.”

Agjencia amerikane e lajmeve AP shkruan se “Lideri i Partisë Demokratike të qendrës së djathtë të opozitës shqiptare u sulmua gjatë një proteste antiqeveritare të mbajtur pranë vendndodhjes se samitit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor në kryeqytetin shqiptar.”

Opozita po protestonte për korrupsionin e pretenduar të kryeministrit Edi Rama, të cilin “e fajësojnë edhe për krizën dhe rritjen e kostove së jetesës në vend si dhe eksodin e të rinjve shqiptarë që po largohen nga Shqipëria për një jetë më të mirë në vendet e Evropës Perëndimore”.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA gjithashtu ka shkruar për incidentin. Media italiane shkruan se kryetari aktual i Partisë Demokratike u sulmua teksa po shkonte në një demonstratë të organizuar kundër qeverisë nga kryeministri Edi Rama, në ditën kur u mbajt samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Ansa shkruan se “Berisha pasi u rrëzua në tokë, u ngrit brenda pak disa minutash duke vijuar rrugëtimin drejt vendit të protestës, pavarësisht hundës dhe faqeve të gjakosura.”