Vendosni fjalën kyçe....

Berisha të rinjve nga Kuvendi i FRPD-së: PD-në e shpëtuat, ju keni të gjithë potencialin për të shpëtuar edhe Shqipërinë


Kuvendi Kombëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike po mban sot një ceremoni në nder të Ditës së Rinisë, ku mbushen 32 vite nga lëvizja studentore.

Aktiviteti nisi me himnin shqiptar ku të gjithë u ngritën në këmbë dhe kënduan në një zë dhe më pas vazhdoi me fjalime.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjithashtu po mban një fjalim. Ai vlerësoi të rinjtë e forumit, duke thënë se e kanë realizuar me sukses misionin e tyre të parë të rithemelimit dhe shpëtimit të Partisë Demokratike.

“Të dashur delegate dhe delegatë të Kuvendit Kombëtar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, të dashur anëtare dhe anëtarë të FRPD-së, kudo ku ndodheni sot. I dashur Besar, kryetar i FRPD-së. Të dashur drejtues të mëparshëm të kësaj organizate me një histori dhe të ardhme të jashtëzakonshme, me një rol sa madhor në historinë e këtij vendi, në historinë e lirisë shqiptare, po kaq të madhërishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Sot ne mblidhemi në këtë Kuvend, pasi ju, drejtuesit tuaj, anëtarët e PD-së u shndërruar në fibrën më të fuqishme të rithemelimit të PD-së, të rivitalizimit të saj, u shndërruat në vizë vitalis të atij revolucioni I cili kishte dy qëllime madhore: Shpëtimin e PD-së dhe shpëtimin e Shqipërisë.

Ju vini krenarë pasi keni realizuar me sukses të plotë misionin e parë, ju vini krenarë dhe më të vendosur se kurrë, më të fuqishëm, më të motivuar në misionin tuaj të dytë, I cili është një mision I një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e kombit shqiptar dhe Shqipërisë. A do mundeni ju me energjinë, guximin, përkushtimin tuaj të shpëtoni Shqipërinë, e cila ndodhet në një rrokullisje të madhe, e cila përballet sot me pasoja të një pushtimi të brendshëm ndër më të egrit në historinë e ekzistencës tonë kombëtare. A do mund të shpëtoni ju sot Shqipërinë, e cila është sot, vendi, shoqëria më e adresuar, më viktimë e mafias shqiptare rajonale dhe botërore?

Shtroj këtë pyetje, por bindja ime e thellë është se ju keni të gjithë potencialin, keni të gjithë energjinë, entuziazmin, guximin, forcën për të shpëtuar këtë vend, për ta vendosur atë përsëri në rrugën e të ardhmes, në rrugën e dinjitetit kombëtar, në rrugën e integrimit euroatlantik.”- tha Berisha.