Vendosni fjalën kyçe....

Irani kryen ekzekutimin e parë për protestat antiqeveritare


Irani ka njoftuar ekzekutimin e parë të një protestuesi të dënuar me vdekje për shkak të protestave të fundit antiqeveritare.

Siç shkruan BBC, Mohsen Shekari u var të enjten në mëngjes pasi u shpall fajtor nga një Gjykatë Revolucionare për “armiqësi kundër Zotit”.

Ai u akuzua si një “rebel” që bllokoi një rrugë kryesore në Teheran më 25 shtator dhe plagosi me thikë një pjesëtar të forcës paraushtarake Basij.

Një aktivist tha se Shekari u dënua pas një gjyqi që dukshëm nuk ishte një proces i rregullt.

Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i të Drejtave të Njeriut të Iranit me bazë në Norvegji, postoi në “Twitter” se ekzekutimet e protestuesve do të fillonin të ndodhin çdo ditë nëse autoritetet iraniane nuk përballeshin me “pasoja të shpejta praktike ndërkombëtarisht”.

Gjyqësori i Iranit deri më tani ka njoftuar se 11 persona janë dënuar me vdekje në lidhje me protestat që filluan në mes të shtatorit pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Amini-t, një gruaje 22-vjeçare e cila u arrestua pasi e kishte veshur hixhabin, apo shaminë e saj, “në mënyrë të pahijshme”.

Protestat e udhëhequra nga gratë janë përhapur në 160 qytete në të 31 provincat e vendit dhe janë parë si një nga sfidat më serioze për Republikën Islamike që nga revolucioni i vitit 1979.

Udhëheqësit e Iranit i kanë portretizuar ato si “trazira” të nxitura nga armiqtë e jashtëm të vendit dhe kanë urdhëruar forcat e sigurisë që “të merren me vendosmëri” me ta.

Deri më tani, të paktën 475 protestues janë vrarë dhe 18 mijë e 240 janë arrestuar, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA). Kjo agjenci ka raportuar gjithashtu vdekjen e 61 personelit të sigurisë.