Vendosni fjalën kyçe....

Kina e Arabia Saudite thellojnë lidhjet energjetike, nënshkruajnë marrëveshje miliardë dollarëshe


Bashkëpunimi energjetik mes Kinës e Arabisë Saudite do forcohet pasi dy vendet planifikojnë të sigurojnë zinxhirët e furnizimit në këtë sektor, sipas ministrit saudit të Energjisë Princi Abdulaziz bin Salman.

Deklarata e tij erdhi gjatë një vizite në Arabinë Saudite nga presidenti kinez Xi Jinping përpara një samiti kinezo-arab që fillon në Riad më 9 dhjetor. Delegacioni kinez pritet të nënshkruajë mbi 20 marrëveshje me vlerë 110 miliardë rial (29 miliardë dollarë) me Arabinë Saudite në sektorët e energjisë e sigurisë.

“Arabia Saudite e Kina përpiqen të rrisin bashkëpunimin në zinxhirët e furnizimit të sektorit të energjisë, duke krijuar një qendër rajonale për fabrikat kineze në mbretëri duke përfituar nga vendndodhja e rëndësishme e mbretërisë midis tre kontinenteve, Azisë, Afrikës dhe Evropës.” – tha ministri në një deklaratë për Agjencinë Saudite të Shtypit të mërkurën.

Ai shtoi se Arabia Saudite do mbetet një partner i besueshëm për Kinën në sektorin e energjisë si dhe në sigurimin e qëndrueshmërisë së tregut global të naftës. Ministri theksoi se vendet po thellojnë bashkëpunimin dhe investimet e përbashkëta, duke përfshirë ato të nismës së Kinës ‘Brez e Rrugë’ dhe komplekset e integruara të rafinimit dhe petrokimisë në dy vendet.

Sipas të dhënave të doganave kineze, Arabia Saudite është furnizuesi kryesor i Kinës me naftë në dhjetë muajt e parë të 2022, duke përbërë 18% të totalit të blerjeve të naftës bruto të Kinës, me importe që arrijnë në 73.54 milionë tonë, ose 1.77 milionë fuçi në ditë.

Kina është partneri më i madh tregtar i mbretërisë, me tregti të ndërsjellë me vlerë 87.3 miliardë dollarë në vitin 2021. Eksportet kineze në Arabinë Saudite thuhet se arritën në 30.3 miliardë dollarë, ndërsa importet e Kinës nga mbretëria arritën në 57 miliardë dollarë.