Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak ka thënë se do mbështesë ‘ligje të reja të ashpra’ që synojnë veprimet e punëtorëve, madje duke sugjeruar një ndalim të plotë të largimit nga vendet e punës të punonjësve të caktuar, pasi mijëra punonjës të urgjencës njoftuan greva të ardhshme, duke kërkuar rritje pagash në mes të inflacionit në rritje.
Duke iu drejtuar deputetëve të mërkurën, Sunak paralajmëroi se një valë grevash të afërta në sektorë të shumtë, duke përfshirë kujdesin shëndetësor dhe tranzitin publik, do shkaktonte ndërprerje të mëdha dhe u zotua të bëjë ‘çfarëdo që duhet të bëj’ për të parandaluar ndalimin e punës në industritë jetike.
“Nëse liderët e sindikatave vazhdojnë të jenë të paarsyeshëm, atëherë është detyra ime të ndërmarr veprime për të mbrojtur jetën dhe mjetet e jetesës për publikun britanik.” – vazhdoi ai, duke shtuar: “që kur u bëra kryeministër kam punuar për ligje të reja të ashpra për të mbrojtur shoqërinë nga kjo përçarje.”
Komentet e kryeministrit erdhën vetëm një ditë pasi sindikatat Unite, Unison dhe GMB – të cilat përfaqësojnë punonjësit e ambulancës, emergjencës mjekësorë, punonjësit e thirrjeve telefonike në shërbimin e urgjencës dhe asistentët e kujdesit emergjent – thanë se do nisnin greva të bashkërenduara që përfshijnë më shumë se 10,000 punonjës më 21 dhe 28 dhjetor.
Greva të tjera janë planifikuar në javët e ardhshme, duke përfshirë një grevë ku pritet të marrin pjesë deri në 100,000 infermierë, si dhe greva nga punonjësit e hekurudhave, postës, urbanëve dhe arsimit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Javën e kaluar, një zyrtar i lartë në kabinetin e Sunak u kërkoi sindikatave të heqin dorë nga kërkesat e tyre, duke argumentuar se nuk ishte ‘koha’ për të kërkuar paga më të larta dhe duke bërë thirrje për bashkim për t’i dërguar një ‘mesazh shumë të qartë’ presidentit rus Vladimir Putin.