Kreu i Partisë së Lirisë Meta pohoi mbrëmjen e sotme se vendi është larg asaj që ishte menduar 32 vite me parë pas rrëzimit të diktaturës komuniste e ardhjes së sistemit demokratik.
I ftuar në emisionin ‘Kontrast’ në Report Tv, Meta tha se opozita ka misionin të rikthejë pluralizmin në vend duke theksuar se vendet e rajonit kanë ecur me ritme shumë më të shpejta se Shqipëria.
“Protestën duhet ta kuptojmë si qytetarë të një vendi vërtetë europiane. U mirëkuptua nga të gjithë qytetarët që iu përgjigjën thirrjes për protestë pavarësisht vështirësive të eventit. BE thanë se protesta janë e drejtë demokratike që duhen ushtruar lirshëm. E kishin të qartë që s’kishte të bënte me eventin, por me problemet që kanë opozita dhe qytetarët me qeverinë këtu. Ajo ka qenë një iniciativë e Berishës dhe PD dhe ka gëzuar mirëkuptimin tonë. Ishte paqësore dhe demokratike. Në opozitë nuk ka ndarje, ka vetëm harmoni. Nuk jemi aty ku kemi menduar 32 vite më parë por edhe 10 vite më parë. Jemi në moment kritik të lirisë, demokracisë të vendit tonë. Dhe në shembullin e atyre të rinjve të reagojmë dhe të rivendosim pluralizmin demokratik në vend.” – tha Meta.