Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore në konfliktin e Ukrainës është zvogëluar “për momentin”, thotë kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Rusia ka ndaluar së kërcënuari se do të përdorë armë bërthamore në përgjigje të vendosjes së vijës së kuqe nga komuniteti ndërkombëtar.”- tha Scholz sipas BBC-së.
Të mërkurën, Vladimir Putin i Rusisë sugjeroi se Moska do të përdorte armë bërthamore vetëm si hakmarrje, por nuk do i përdorte vetë e para.
Kapaciteti i Rusisë për të përdorur armë bërthamore është vënë nën kontroll të shtuar që kur ajo pushtoi Ukrainën në shkurt. Në një fjalim drejtuar kombit në shtator, Putin tha se vendi i tij kishte “armë të ndryshme shkatërrimi” dhe do të “përdorte të gjitha mjetet në dispozicion“, duke shtuar: “Unë nuk po bëj bllof”.
Në një intervistë të enjten, Scholz tha se vizita e tij e fundit në Kinë kishte kontribuar në “ndalimin” e kërcënimit të përshkallëzimit bërthamor.
Kancelari gjerman tha se ai dhe presidenti kinez Xi Jinping ishin dakord se “armët bërthamore nuk duhet të përdoren” dhe se vendet e G20 e kishin riafirmuar këtë qëndrim menjëherë më pas.
Komenti i Scholz erdhi një ditë pasi presidenti Putin tha se rreziku i luftës bërthamore “po rritet – do të ishte gabim ta fshihnim”.
Duke folur në një takim televiziv të këshillit të tij për të drejtat e njeriut, udhëheqësi rus pohoi se Rusia “në asnjë rrethanë” nuk do të përdorte armët e para dhe nuk do të kërcënonte askënd me arsenalin e saj bërthamor.